Një grua nga fshati Vardardhë i Sukthit, nënë e 4 fëmijëve, dyshohet se i ka dhënë fund jetës, pas denigrimit në rrjetet sociale.
Në emër të saj u hapën profile, kryesisht në Tik-Tok, që denigronin figurën e saj si grua, me etiketime si e pamoralshme.
41-vjeçarja duket se nuk i ka rezistuar presionit shoqëror në një komunitet të vogël dhe më pas edhe në familje.
Në kushte të rënduara psikologjike ka pirë fostoksinë, tri ditë më parë, më 2 janar. Familjarët e kanë çuar me urgjencë në spital në Tiranë, por gruaja ndërroi jetë.
Nëna e 4 fëmijëve, punonte në një fabrikë fasonerie në zonën e Fllakës. Bashkëshorti i saj bënte punë sezonale në Greqi, por për festa ishte pranë familjes. Para efektivëve ka thënë se nuk kishin konflikte në çift dhe se nuk e di shkakun e vetëhelmimit të gruas.
Nga fakti që gjuha e shëmtuar dhe fyese ndaj saj në rrjetet sociale, lidhet me punën e saj në fabrikë, dyshimet e hetuesve janë se profilet denigruese të jenë hapur nga punonjëse të tjera të fabrikës, ndaj po hetohet se si kanë qenë marrëdhëniet mes kolegeve.
Ngjarja e rëndë po hetohet nga Prokuroria e Durrësit, për të zbuluar së pari, personin që ka hapur profilin fals në rrjetet sociale, duke e konsideruar krim kinernetik.