Në Kinë, studiuesit izoluan dhe zbërthyen strukturën e virusit COVID-19 në fund të dhjetorit 2019, të paktën dy javë përpara se Pekini t’i zbulonte botës detajet për virusin vdekjeprurës.
Kjo u zbulua ekskluzivisht nga Wall Street Journal, pas shqyrtimit të dokumenteve që Departamenti Amerikan i Shëndetësisë mori nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve.
Sipas WSJ, një studiues kinez në Pekin ngarkoi një sekuencë pothuajse të plotë të strukturës së COVID në një bazë të dhënash të menaxhuar nga qeveria amerikane më 28 dhjetor 2019, ndërsa Kina ndau sekuencën e virusit me Organizatën Botërore të Shëndetësisë vetëm më 11 janar 2020.
Kur studiuesja Lili Ren, nga Instituti i Biologjisë së Patogjenit në Pekin, kishte hartuar strukturën e virusit, zyrtarët kinezë ende po e përshkruanin publikisht shpërthimin në Wuhan si një pneumoni virale “me një shkak të panjohur” dhe nuk e kishin mbyllur ende tregun me shumicë të kafshëve të gjalla, që ishte vatra e parë e shpërthimit të COVID-19.
Informacioni i ri, saktëson gazeta amerikane, nuk hedh dritë mbi debatin nëse koronavirusi u përhap pas infektimit të ndonjë kafshe ose shpendi, apo nga një rrjedhje laboratorike, por sugjeron se bota nuk ka ende një shpjegim të plotë të origjinës së pandemisë.
Por, dy javët shtesë mund të kenë rezultuar ende vendimtare për të ndihmuar komunitetin mjekësor ndërkombëtar të identifikojë se si përhapet COVID-19, të zhvillonte mbrojtje mjekësore dhe të niste punën për një vaksinë të mundshme, sipas specialistëve.
Në fund të vitit 2019, shkencëtarët dhe qeveritë në mbarë botën po bënin gara për të kuptuar sëmundjen misterioze që ata përfundimisht do ta quanin COVID-19, i cili do të vriste miliona njerëz.