Një aeroplan transporti ushtarak rus Ilyushin-76 u rrëzua këtë të mërkurë në rajonin jugor të Belgorodit pranë Ukrainës. Ministria ruse e mbrojtjes tha se 65 ushtarakë ukrainas të kapur rob ishin në bordin e aeroplanit që po shkonte në një zonë për shkëmbimin e të burgosurve. Inteligjenca ushtarake ukrainase lëshoi një deklaratë duke akuzuar Rusinë për rrezikimin e jetëve të të burgosurve të luftës.
Ajo tha se nuk ishte vënë në dijeni se duhej të siguronte hapësirën ajrore mbi Belgorod. Deklarata e Ukrainës tashmë po shihet si një pranim i heshtur se ishte ajo që rrëzoi avionin. Agjencia ruse e lajmeve Ria Novosti tha se 9 persona të tjerë ishin në aeroplan, nga të cilët 6 ishin anëtarë të ekuipazhit.
Një video e shpërndarë në mediat sociale tregonte një aeroplan që binte në tokë pasuar nga një shpërthim dhe një top zjarri. Guvernatori rajonal në rajonin rus të Belgorod, Vyacheslav Gladkov, tha se avioni u rrëzua në një fushë pranë një zone të banuar dhe se të gjithë në bord kishin vdekur. Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha fillimisht se avioni po transportonte raketa për sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-300. Në deklaratë nuk përmendeshin të burgosurit e luftës.
Asnjë nga detajet rreth atyre që ndodheshin në bord nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, por inteligjenca ushtarake e Ukrainës duket se pranoi se ushtarët ukrainas robër mund të kenë qenë në bord. Ajo tha në një deklaratë se ishte përgjegjësi e Rusisë “të garantonte sigurinë e mbrojtësve tanë sipas marrëveshjeve që ishin arritur” dhe se në këtë rast nuk ishte informuar se hapësira ajrore duhej të mbrohej “në kohën e përcaktuar” si në shumë raste të mëparshme.
“Kjo tregon veprimet e qëllimshme të Rusisë që synojnë të vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e të burgosurve” – thuhej në deklaratë. Përpara shkëmbimit të planifikuar të të burgosurve, zyrtarët ukrainas thanë se ushtarakët rusë të kapur “u dorëzuan në vendin e rënë dakord në kohë për t’u shkëmbyer dhe se ata ishin të sigurt atje”.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se shkëmbimi do të bëhej të mërkurën pasdite në një pikë kontrolli kufitar 100 km në perëndim të Belgorodit. Ministria e Mbrojtjes tha se aeroplani ushtarak ishte nisur nga baza ajrore Chkalovsky në veri-lindje të Moskës duke pretenduar se forcat ajrore të Ukrainës kishin lëshuar dy raketa anti-ajrore nga kufiri ukrainas. Andrei Kartapolov, kryetar i komitetit parlamentar të mbrojtjes të Rusisë, pohoi se kishte një aeroplan të dytë në ajër që transportonte 80 të burgosur ukrainas, por ai më pas kishte ndryshuar drejtim.
“Tashmë nuk mund të flitet për ndonjë shkëmbim tjetër [të burgosurish]” – tha Kartapolov për TV rus. Ukraina dhe Rusia kanë ndërmarrë një sërë shkëmbimesh të burgosurish që nga fillimi i luftës. Shkëmbimi më i madh deri më tani ndodhi në fillim të këtij muaji, kur Ukraina liroi 248 të burgosur rusë të luftës dhe Rusia liroi 230 persona në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Më shumë se 8 mijë ukrainas, civilë dhe ushtarakë, mbahen ende nga Rusia. Shtabi i Koordinimit të Ukrainës për trajtimin e të burgosurve thotë se dhjetëra mijëra të tjerë janë ende të zhdukur. Qyteti Belgorod, i cili ndodhet afërsisht 40 km në veri të kufirit me Ukrainën, ka pësuar dhjetëra viktima nga sulmet ajrore dhe dronët që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Në dhjetor, 25 njerëz u vranë dhe 100 u plagosën pas një sulmi ajror, megjithëse Ukraina këmbënguli se vetëm infrastruktura ushtarake ishte shënjestruar dhe fajësoi mbrojtjen ajrore ruse për fragmentet që ranë në qytet. Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022 dhe lufta po vazhdon ndërsa po i afrohet vitit të tretë. ©LAPSI.al