Studiuesit në universitetet e shtetit amerikan të Merilendit po përdorin inteligjencën artificiale për të diagnostikuar dhe trajtuar më mirë sëmundjet e rënda. Ekspertët mjekësor në Universitetin Johns Hopkins po përpiqen të përmirësojnë diagnostikimin për sëmundjet e zemrës dhe kancerin.
Studiuesit e inxhinierisë biomjekësore në Universitetin Johns Hopkins po punojnë për të transformuar kujdesin shëndetësor për pacientët me sëmundje të zemrës.
Ata tani mund të krijojnë një kopje dixhitale të zemrës së një pacienti dhe me ndihmën e inteligjencës artificiale mund të bëjnë parashikime më të sakta mbi rreziqet me të cilat përballen pacientët.
“Ne bëjmë imazhe me rezonancë magnetike të zemrës dhe më pas mund të kombinojmë të gjitha të dhënat klinike që njihen për pacientin. Kjo kombinohet me analizën e mbijetesës dhe ne mund të parashikojmë për një periudhë mbi 10 vjeçare nivelin e rrezikut të një pacienti nga një vdekje e papritur kardiake.”
Ndryshe nga imazhet e segmentuara që përdoren më shpesh sot, profesorja Natalia Trayanova thotë se imazhet e plota të zemrës,
ofrojnë parashikime më të sakta për pacientët që mund të kenë nevojë për defibrilatorë.
“Ne kemi algoritme që ofrojnë analiza më të hollësishme dhe një pasqyrë më të mire të gjendjes shëndetësore të pacientit”, thotë profesorja Trayanova.
Në Qendrën Gjithëpërfshirëse të Kancerit “Sidney Kimmel” të Universitetit Johns Hopkins, Dr. Victor Velculescu po udhëheq studimet për zhvillimin e metodave të reja për zbulimin e kancerit të mushkërive në fazën e hershme dhe kancereve të tjera.
Ai dhe ekipi i tij vunë re se qelizat e kancerit rriten dhe riprodhohen në mënyrë më kaotike sesa qelizat normale. Pra, kur ato qeliza vdesin, ato lënë pas shenja të fragmentve të ADN-së që qarkullojnë në gjak, të cilat mbartin të dhëna nëse një person mund të ketë kancer.
Ekipi i tij krijoi një program të quajtur DELFI, për të analizuar fragmentet e këtyre qelizave.
“Ne analizojmë gjakun, identifikojmë molekulat e ADN-së, të quajtura AND-ja pa qeliza dhe studiojmë modelet e kësaj ADN-je pa qeliza si një mënyrë për të identifikuar ata individë që kanë kancer kundrejt atyre pa kancer.”
Dr. Velculescu thotë se përmirësimi i procesit të analizave të gjakut mund të çojë në kontrolle më të sakta të kancerit në mbarë botën./VOA