Kryeministri Albin Kurti, të martën priti në takim përfaqësues të disa partive shqiptare nga Maqedonia e Veriut.
Sipas komunikatës së Qeverisë, kryeministri Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje.
“Sot në zyrën e tij, bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti krerë politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut: Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i Komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes BESA e i Komunës së Tetovës, Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, dhe Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës, po ashtu deputet.
Në takim mori pjesë edhe këshilltari i kryeministrit, Bekim Qoku. Së bashku diskutuan për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet.
Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhet në komunikatë.
View this post on Instagram
Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë pritur në takim përfaqësuesit e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut të martën, nga ku është paralajmëruar për zyrtarizim të koalicionit, raporton Koha.net.
Përfaqësuesi opozitar Izet Mexhiti ka deklaruar për RTK-në se ky është takim vëllazëror, derisa sa i përket mundësisë së një koalicioni ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut, por se pjesëtarët e LVV-së pritet t’i bashkohen partive opozitare.
Ai tutje shtoi se zyrtarizimi i këtij koalicioni pritet të ndodhë sot ose ditët në vijim.
Përveç Mexhitit, në takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami.
Në Maqedoninë e Veriut të dielën u betua për herë të parë një kryeministër shqiptar. Talat Xhaferi i BDI-së do ta udhëheqë Maqedoninë e Veriut deri në maj kur pritet të mbahen zgjedhjet.
Kurti pati marrë pjesë në mitingje të opozitës shqiptare në Maqedoni të Veriut në zgjedhjet lokale. Megjithatë, për këto veprime, shefi i Qeverisë pati marrë kritika nga njohësit e politikës.
Kurti e uroi Xhaferin për postin e kryeministrit. Kurti dhe kryetari u BDI-ës, Ali Ahmeti, shpeshherë kanë pasur përplasje në distancë.
Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.
Më 24 dhjetor në Sheshin “Skenderbeu”, Lidhja Evropiane për Ndryshim bëri hapjen e zyrës së përbashkët të koalicionit. Në hapjen e zyrës morën pjesë kryetarët e tre partive Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike ku për herë të parë edhe zyrtarisht paraqitet edhe Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, me përfaqësuesin e saj, Bekim Qoku si pjesë e frontit opozitar, ku para të pranishmëve mbajtën edhe fjalë rasti.