Ballina Aktualitet VIDEO/Bastisjet në objektin e Policisë, deklarohen Prokuroria e Policia e Kosovës, Sveçla...

VIDEO/Bastisjet në objektin e Policisë, deklarohen Prokuroria e Policia e Kosovës, Sveçla jep detaje për bastisjen në objektin e Policisë në Prishtinë: “Paraqet rrezik për sigurinë e vendit ”

Përmes një komunikate të përbashkët, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar opinionin lidhur me bastisjen në një objekt të ndërtesës së Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit thuhet se në objekt dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt.

“Nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës,
Drejtorinë për Hetime Rajonale në Prishtinë, është duke u realizuar bastisje në një objekt në qendër të Prishtinës, ku dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt. Për zhvillimet rreth këtij aksioni do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Paraqet rrezik për sigurinë e vendit ” – Sveçla jep detaje për bastisjen në objektin e Policisë në Prishtinë

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është deklaruar për aksionin e mbrëmjes së sotme ku u mbyll një objekt pasi dyshohej se funksiononte ilegalisht.

“Në mëngjesin e sotëm kemi pranuar informatën mbi aktivitetin e dyshimtë të një Organizate Joqeveritare, e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë”, shkroi Sveçla.

Sveçla tha se Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve.

“Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je”, shkroi ai.

Tutje, ministri Sveçla thotë se “kemi njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit”.

“Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”, tha Sveçla.

“Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”, përfundoi ai.

https://youtu.be/quI75ox6NgE