Trupi i mavijosur i Alexei Navalny, liderit të opozitës ruse, është gjetur në një morg spitali në Arktik, dy ditë pasi ai vdiq në një burg aty pranë, raporton “The Telegraph”.
Një ndihmës mjek ka deklaruar për mediat opozitare ruse se në trupin e tij ata kishin konstatuar shenja mavijosje, kryesisht në kokë dhe gjoks, kur trupi i tij u soll në Spitalin Klinik të Qarkut Salekhard.
“Lëndime të tilla shfaqen nga konvulsionet,” kanë deklaruar mjekët. Sipas tyre, ai kishte edhe një mavijosje në gjoks. Kjo do të thotë, se ata që e gjetën Navalny u përpoqën ta ringjallën por ai vdiq, me shumë mundësi, nga arresti kardiak.
Zyrtarët rusë të burgut thanë se Navalny vdiq të premten pasi u sëmur gjatë një shëtitjeje të shkurtër në IK-3, një burg famëkeq brutal në Arktikun rus.
Nëna e Navalny nuk arriti të gjente trupin e tij në morgun në Salekhard dhe kolegët e tij në Fondacionin Anti-Korrupsion akuzuan autoritetet ruse për një mbulim.
Gazetarët thanë se ende nuk ishte kryer autopsi. Ata thanë gjithashtu se dy fluturime të paplanifikuara nga Moska ishin ulur të shtunën në Salekhard, ndoshta me specialistë të autopsisë.
“Avioni i parë u ul rreth orës gjashtë të mbrëmjes dhe është pritur nga makina të Komitetit Hetimor. Dhe i dyti mbërriti një orë e gjysmë më vonë,” shkrun The Telegraph.
Navalny ishte kundërshtari kryesor i Vladimir Putinit. Udhëheqësit perëndimorë kanë akuzuar Kremlinin për vrasjen e tij. Ai po përballej me tre dekada burg për akuza të ndryshme dhe ishte transferuar në IK-3 pak para Krishtlindjeve.
David Lammy, sekretari i jashtëm në hije, tha të dielën se Putini duhet të përballet me akuzat për krime lufte për vdekjen e Navalny.