Ballina Aktualitet Katastrofë mjedisore në Zhelinë të Tetovës, u dogjën goma të makinave (VIDEO)

Katastrofë mjedisore në Zhelinë të Tetovës, u dogjën goma të makinave (VIDEO)

Në Zhelinë të Tetovës ka shpërthyer një zjarr i madh ku janë djegur sasi e madhe e gomave, raporton Portalb.mk.

Sot (21 shkurt) në ora 12:20 në Sektorin për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë është raportuar se një sasi e madhe e gomave të vjetra janë djegur në një sipërfaqe të hapur pranë një fabrike në Zhelinë të Tetovës.

“ Menjëherë pas raportimit, në vendngjarje janë dërguar zyrtarë policorë nga njësitet policore Grupçin, si dhe ekipe të Njësitit Territorial të Zjarrfikjes-Tetovë, të cilët intensivisht po angazhohen për lokalizimin e zjarrit”, thonë nga SPB Tetovë.

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njoftoi se Njësia Territoriale kundër Zjarrit Tetovë ndërhyn në shuarjen e zjarrit.

“Shuarja është e vështirë për shkak të sasisë së madhe të gomave të veturave, nuk ka rrezik që zjarri të përfshijë objektet fqinje, shuarja e plotë pritet maksimumi për dy orë”, informuan nga QMK.

Policia e Tetovës njoftoi se po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit , kush dhe pse i ka djegur gomat, që paraqet vepër penale ,”Ndotje e ambientit jetësor dhe natyrës” e dënueshme sipas nenit 218 të Kodit Penal.

Rikujtojmë që në Tetovë ka pasur disa zjarre të përmasave të mëdha. Në muajin maj 2022 një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu në hapësirat e ish fabrikës “Makedonija Tabak” dhe “Pofix” në Tetovë. Në gusht 2023 një zjarr kaploi tendat për shitje të librave para Qendrës për Kulturë të Tetovës. Ndërsa në 2023 një zjarr i madh që shpërtheu në depon e ngjyrave dhe materialeve kimike në Falishtë të Tetovës.