Vrasja dhe groposja e një 49-vjeçari në Shënavlash të Durrësit, ka tronditur mbarë opinionin publik ndërsa policia arrestoi dy djemtë e viktimës dhe vajzën e tij, si dhe procedoi bashkëshiorten.
Krimi fillimisht u mor përsipër nga vajza 19-vjeçare, e cila tha se e qëlloi me pistoletë në datë 10 shkurt pasi donte ta fejonte me një person që ajo nuk e donte. Por të afërmit nuk e besuan versionin e saj.
“Kam mbetur i shokuar për ngjarjen. Ishin një familje model. Ai punonte si roje te pazari i makinave. Hygerta është një engjëll, nuk mund ta vriste dot babain e saj. Ajo nuk vriste dot një pulë, jo më babain e saj”, tha krushku i familjes Meta.
“Djalë i mirë familje e mirë, janë me tradita të vjetra, nuk besoj të jetë deri në shkallën e dhunës së ishin familje me taban, por prindërit ishin fanatikë. Është në enigmë, kjo është në kompetencën e policisë. Informacionin më të plotë besoj e keni nga policia, unë s’di gjë. Me armë ka ndodhur, njerëzit nuk të japin informacion…nuk duan të futen në këto telashe. Ky që përcolla unë tani ishte gjyshi asaj vajzës. Ai këtë thoshte nuk di asgjë, por çështje që ka dash me e martuar, lidhje nuk ka pas. Sot ka ardhur koha që fëmija nuk të pyet, mund të ketë lidhje tjetër. Kjo është diçka e shëmtuar, nuk pajtohem dot me të por ngelet enigmë. Mund të jetë diçka tjetër me e rëndë, por mendimet thuhet që mund të ketë ndonjë kontradiktë ndonjë problem. Këtë mendojmë tua lëmë ekspertizës të gjitha”, shprehet miku i familjes.
Zhdukja e Pëllumb Metës e denoncuar më 13 shkurt nga djali i madh Hyseni, 25 vjeç, vuri në lëvizje policinë e Durrësit. Hetimet disaditore e ngushtuan rrethin e dyshimeve brenda familjes, pasi viktima nuk rezultonte të kishte konflikte jashtë saj.
Gjatë marrjes në pyetje të familjarëve vajza e vogël e viktimës Hygerta, studente në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, mori përsipër krimin. Ajo ka deklaruar në polici se ka vepruar e vetme duke shfajësuar vëllezërit dhe të ëmën. E ka vrarë dhe groposur të atin në kasollen e lopës dhe njëkohësisht ka zhvendosur automjetin e tij disa kilometra larg banesës, në rrugën që lidh Shënavlashin me sektorin Rinia, për të larguar dyshimet nga banesa e saj.
Në dëshminë e saj ajo ka deklaruar se e vrau babain pasi kishte vendosur ta fejonte edhe atë, si të motrën, pa dëshirën e saj në një fshat duke i ndryshuar krejtësisht jetës esaponisur si studente. Bashkëshortja e viktimës dhe djemtë, përkatësisht 25 dhe 21 vjeç, kanë deklaruar se viktima ishte autoritar dhe i diktonte gjithkujt vendimet e tij në shtëpi. Ata kanë dëshmuar se kanë qenë në një dhunë të vazhdueshme psikologjike prej tij.
Ndryshe nga familjarët, në shoqëri dhe vendin e punës viktima njihej si njeri i qetë dhe shumë punëtor. Ai punonte si roje nate në tregun e makinave në Shënavlash, por dhe gjatë ditës angazhohej me punë, kryesisht larjen e makinave, për të siguruar më shumë të ardhura për familjen.
“Ka qenë një njeri shumë i mirë, shumë i urtë. Ka qenë roje nate. Kemi kaluar shumë mirë, nuk ka qenë agresiv. Njeri i qetë në punë të vetë. Ishte shumë shokuese, t’i rrit një fëmijë dhe vjen të vret. Është fundi i njerëzimit. Nuk e imagjinoj dot, si i ka zënë gjumi. Ti vret babën, nuk e di, për mua nuk janë njerëz, janë kafshë. Për mua është fundi i botës. Ka qenë shumë njeri u mirë. Do i shkojmë për ngushëllim, po s’dimë ku do shkojmë. Ku të shkosh? Tek kush familje do i shkosh? Kemi ndërruar vetëm fjalë të mira dhe jo të këqija. Mund të pyesësh gjithë tregun dhe nuk di që të ketë bërë llafe me njëri. Ka qenë i qetë. Një njeri që punonte dhe ditën e natën. Ditën lante ndonjë makinë”, u shpreh një nga personat që njihte viktimën.
Deklarata zyrtare e policisë, pas zbardhjes së dinamikës së vrasjes:
Në një deklaratë për mediat, drejtori i policisë së qarkut Durrës Skënder Hitaj tha se Hysen Meta u qëllua me pistoletë. Motivi konfirmoi policia, ishin konfliktet e vazhdueshme pasi viktima donte të fejonte vajzën pa dëshirën e saj.
“Me marrjen e kallëzimit nisën kërkimet për gjetjen e personit. Më 17 shkurt është gjetur mjeti që përdorte Pëllumb Meta në Sektor Rinia. Është ngritur grupi posaçëm hetimor ku vijuan hetimet dhe kërkimet, u hodhën pistat e hetimet pse ishte zhdukur 50-vjeçar. Më 22 shkurt nuk kishim të bënim me zhdukje, por vrasje në familje. Nga tërësia e veprimeve u gjet edhe trupi i cili ishte varrosur në ambientet e brendshme të banesës. Pas ekspertizës u konkludua se është vrarë me armë zjarri. Veprimet vijuan me insitesitet të lartë dhe nga të gjithë provat e siguruara, u gjetën provat dhe të arrestojmë anëtarët, Hysen Metajn, dhe H.M, të cilët kanë bashkëpunuar, Është arrestuar edhe Amarildo që ka ndihmuar vëllain dhe motrën. Hetohet në gjendje të lirë Blerina Meta. Policia ka qenë e fokusuar te vendi i ngjarjes. Është gjetur edhe arma e zjarrit, është sekuestruar municion luftarak, veshje që janë përdorur në kryerjen e këtij krimi”, tha ai.
Përmes një deklarate për shtyp, Hitaj theksoi se krimi i paramenduar ka ndodhur brenda një dhome të shtëpisë dhe më pas kanë transportuar trupin e pajetë të babait të tyre duke e varrosur pranë një kasolleje në oborr. Megjithëse ekzekutori ishte i vëllai, vajza fillimisht ka marrë përsipër krimin për faktin se motivi i vrasjes kanë qenë debatet familjare dhe nxitja e babait që ajo të fejohej me një person kundër dëshirës së saj.
“Vrasja ka ndodhur në banesë dhe më pas e kanë zhvendosur kufomën në kasolle ku dhe e kanë varrosur. Është gjetur edhe pistoleta model 54 në një zonë moçalore të quajtur Vaska, pranë banesës së tyre. Nga veprimet hetimore rezulton se djali i familjes ka kryer qitjen dhe ka qenë ekzekutori i ngjarjes së rëndë. 19-vjeçarja ka qenë e përfshirë në këtë ngjarje dhe motivi i vrasjes ka qenë se kjo dhe familjarë të tjerë kanë pasur debate me të atin për shkak të nxitjes së babait që vajza e tij të fejohej me një person kundër dëshirës së saj. Në momentin që kemi marrë këtë kallëzim kemi pasur dyshimet tona. Nga informacionet tona që morëm në zonë na tregoi se nuk ishte një humbje apo zhdukje, por diçka më tepër. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një konflikt të çastit, por një zjarr të menduar nga dy fëmijët e tij. Me hetimet do të zbulojmë rrethanat. Ekzekutori e ka pranuar akuzën. Është bërë sqarimi i ngjarjes. Motra fillimisht mori përsipër akuzat pasi ishte bërë për të, por pas punës intensive hetimore Hysen Meta ka pranuar krimin. Mjekësia ligjore ka konfirmuar datën 10 shkurt si ditë të vrasjes”, shtoi më tej Hitaj.
Top Channel ka mundur të sigurojë pamjet ku u vendos trupi i pajetë i Pëllumb Metës pas ekzekutimit nga fëmijët.
Çfarë ndodhi në fillim:
Fillimisht u arrestua nga policia Hygerta Meta e cila dyshohej se kishte vrarë të atn, nën pretendimin se donte ta fejonte me një emigrant që jetonte në Itali, pa dëshirën e saj. Pëllumb Meta ishte vrarë me katër plumba dhe më pas u gropos në kasollen e bagëtive. 19-vjeçarja studente e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja pranoi përpara hetuesve se e kishte bërë ajo.
Nërkohë dyshohet se viktima ishte një person autoritar dhe i rreptë në familje, edhe pse fqinjët e përshkruajnë të qetë dhe pozitiv. Djali i madh i familjes e kishte denoncuar të zhdukur viktimën dhe pas 10 ditësh hetime policia gjeti trupin të groposur. Në datën 17 shkurt është bërë e mundur gjetja e automjetit të 50-vjeçarit, të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Gjatë pasdites u gjet edhe arma e krimit në një zonë moçalore, pas shumë orësh kërkime në disa prej pistave të hetimit.
“Jam e lumtur që e kreva unë këtë punë dhe nuk pendohem që kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe i ka nxirë jetën nënës sime. Unë jam fëmija i vogël i familjes. Motra është më e madhja është e martuar, janë 2 vëllezërit dhe pastaj unë. Mami dhe ne nuk kemi folur kurrë në familje. Për gjithçka fliste dhe vendoste babai. Ai nuk na pyeste kurrë çfare dëshironim. Kur mori vendimin për martesën time aty erdhi fundi. Nuk dëgjoi çfarë unë doja. M’u mblodh një urrejtje për një kohë të gjatë. Ditën e ngjarjes nuk u konfliktuam fare. Mora armën që babi përdorte kur shkonte në punë si roje dhe e qëllova brenda kasolles së bagëtive. Pas krimit e kam mbështjellë me një çarcaf pastaj me fasho e në fund me qese. Armën e hodha buzë detit”, u shpreh Hygerta në polici.