Ballina Bota Ish presidenti Trump merr mbështetje të gjerë nga baza e votuesve të...

Ish presidenti Trump merr mbështetje të gjerë nga baza e votuesve të tij, por nuk ka shenja se përkrahja për të po zgjerohet

Washington – Ish Presidenti amerikan Donald Trump është pothuajse i pamposhtur në zgjedhjet paraprake republikane, por përkundër fitoreve të deritanishme, përkrahja për të mes gjithë personave me të drejtë vote, si kandidati më i favorshëm republikan, mbetet e paqartë.

Sipas një sërë anketash të realizuara nga agjencia e lajmeve The Associated Press, zoti Trump ka rigjallëruar bazën e elektoratit republikan në shtetet e Ajovës, Nju Hempshërit dhe Karolinës së Jugut. Votuesit e tij janë kryesisht të bardhë, shumica e tyre mbi 50 vjeç dhe përgjithësisht pa arsimim të nivelit universitar. Por këto nuk janë karakteristikat demografike të elektoratit me të cilin ai ka gjasa të përballet në nëntor, kur do të ketë nevojë të sigurojë mbështetje edhe nga grupe të tjera votuesish, si dhe të fitojë mbështetjen e përkrahësve të rivales së deritanishme në Partinë Republikane, Nikki Haley. Zonja Haley nuk ka arritur të sigurojë përkrahje të gjerë brenda partisë republikane, por kandidura e saj mund t’i krijojë probleme zotit Trump.

Anketat e agjencisë Associated Press zbulojnë se një pjesë e madhe e kundërshtarëve republikanë të zotit Trump janë votues që kanë hequr dorë nga ai para se ai të rivinte kandidaturën për zgjedhjet e këtij viti.

Po ashtu, anketat dëshmojnë për një parti republikane, që ka ndryshuar qëndrimet e saj të mëparshme për çështje themelore politike, duke mbështetur tani programe të mëdha qeveritare dhe duke u tërhequr nga angazhimet jashtë vendit.

Agjencia Associated Press anketoi 1,597 votues republikanë nga zgjedhjet partiake në Ajova, 1,989 votues nga zgjedhjet në Nju Hempshër dhe 2,466 votues në zgjedhjet paraprake republikane në Karolinën e Jugut. Anketat janë realizuar nga Associated Press dhe Qendra NORC për hulumtime të çështjeve publike.

Mbështetësit e zonjës Haley: republikanët anti-Trump dhe ish votuesit e zotit Biden

Ish ambasadorja Haley ishte e vetmja kandidate që sfidoi zotin Trump në Karolinën e Jugut, por ndëshkimi që ajo mori në shtetet ku tashmë janë mbajtur zgjedhjet paraprake nënvizojnë kufizimet e fushatës së saj.

Disa nga përkrahësit e zonjës Haley në Nju Hempshër dhe në Karolinën e Jugut ishin votues që në anketat e AP-së u deklaruan si demokratë, apo të pavarur. Për më shumë, këta votues kishin mbështetur zotin Biden në zgjedhjet e vitit 2020. Në Karolinën e Jugut dhe në Ajova, katër nga 10 votues të zonjës Haley kishin mbështetur zotin Biden para katër vitesh. Gati gjysma e votuesve të saj në Nju Hampshër kishin votuar për zotin Biden.

Sfidë për zonjën Haley është fakti se ky grup është një pakicë brenda votuesve republikanë. Ata përbëjnë diku mes 11 deri në 24 për qind të votuesve republikanë në secilën nga tre garat, duke krijuar një bazë të ulët të përkrahjes ndaj saj. Shumë nga përkrahësit e mbetur të zonjës Haley në këto shtete thanë se kishin votuar për kandidatin e partisë së tretë, apo nuk kishin votuar fare në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020.

Elektorati republikan mbetet përgjithësisht i bardhë

Deri më tani, pothuajse gjithë mbështetja për zotin Trump vjen nga votuesit e bardhë, të cilët përbëjnë shumicën dërmuese të elektoratit në këto gara të para mes kandidatëve republikanë. Këto rezultate ofrojnë një pasqyrë nëse zoti Trump mund të përfitojë nga votat e votuesve afro-amerikanë dhe hispanikë, të cilët tradicionalisht kanë mbështetur kandidatët demokratë.

Sipas anketës, zoti Trump gëzon të njejtën përkrahje mes grupeve të votuesve që e mbështetën atë në zgjedhjet e kaluara. Gati 6 nga 10 votat për të në vitin 2020 ishin nga votues të bardhë, pa arsimim universitar. Në garat e deritanishme ai e ka thelluar mbështetjen mes këtij grupi votuesish. Më shumë se 6 nga 10 votues të tij në këto gara ishin gjithashtu mbi 50 vjeç. Zoti Trump gjithashtu ruajti nivelin e lartë të mbështetjes nga të krishterët evangjelistë dhe banorët që jetojnë në qyteza apo në zonat rurale, grupe që kanë peshë të rëndësishme në kontekstin e zgjedhjeve paraprake republikane, por që përbëjnë një pjesë të vogël të elektoratit të përgjithshëm.

Partia e re Republikane

Tashmë po zyrtarizohet: Epoka e Partisë Republikane që favorizonte një rol të kufizuar të qeverisë ka përfunduar. Në vend të kësaj, votuesit republikanë të zgjedhjeve paraprake mbështesin fuqimisht politika kombëtare që kërkojnë investim të dukshëm qeveritar, si në rastin e ruajtjes së moshës 67 vjeçare për të dalë në pension dhe ndërtimin e murit përgjatë kufirit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Dhe ata po tregojnë më pak entuziazëm për ndërhyrje në konflikte me rivalë tradicionalë të Shteteve të Bashkuara si Rusia.

Para zgjedhjeve paraprake, kandidatët republikanë janë përplasur rreth këtyre çështjeve, duke testuar me votuesit qëndrimet e hershme republikane, si tkurrja e programeve sociale dhe përfshirja në konflikte të huaja. Rezultati nga ballafaqimet e para në garat republikane tregon se si zoti Trump i ka dhënë formë Partisë së sotme Republikane.

Qëndrimet e zotit Trump mbështeten nga baza e tij e votuesve. Sipas tre anketave, rreth 7 nga 10 votuesit e tij kërkojnë t’i jepet fund ndihmës së vazhdueshme për Ukrainën, rreth 8 nga 10 votues duan të ruajnë fondin e Sigurimeve Shoqërore ashtu siç është tani dhe rreth 9 nga 10 votues të tij duan ndërtimin e një muri përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara.

Kandidati Trump nuk është ndeshur ende me sfidat më të vështira

Deri më tani në garat republikane, Zoti Trump është përballur me një audiencë dashamirëse, por kjo mund të ndryshojë, nëse siguron emërimin republikan si kandidat për president.

Rreth 7 nga 10 votues në zgjedhjet paraprake dhe zgjedhjet e brendshme partiake identifikohen si konservatorë. Por në vitin 2020, konservatorët përbënin më pak se 40 për qind të elektoratit të përgjithshëm; nga pjesa e mbetur gati gjysma ishin liberalë dhe gjysma tjetër të moderuar. Vetëm 36 për qind e të moderuarve votuan për zotin Trump në vitin 2020 dhe vetëm 8 për qind e liberalëve.

Disa nga dobësitë e zotit Trump tashmë po shfaqen. Të paktën 2 në 10 votues në zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut dhe në zgjedhjet e brendshme në Ajova thanë se nuk do të mbështesin zotin Trump në nëntor, ndërkohë që 3 në 10 votues në Nju Hampshër ndanë të njëjtin mendim.

Në secilin nga shtetet ku u mbajtën zgjedhjet, zoti Trump ose humbi votuesit me arsimim universitar, ose një pjesë e tyre mbështetën zonjën Haley. As në lagjet e pasura – ku jetojnë shumica e votuesve – zoti Trump nuk u mirëprit posaçërisht gjatë këtyre garave republikane. Vota nga votuesit që jetojnë në lagjet e pasura në Ajova dhe Nju Hempshër u nda mes tij dhe kundërshtarëve të tij dhe në Karolinën e Jugut ai korri fitore në këto lagje me një dallim shumë të vogël.

Por këto janë vetëm disa nga sfidat me të cilat do të përballet zoti Trump në muajt e ardhshëm – në këto shtete, një e katërta, ose gati 4 në 10 votues republikanë thonë se ai ka shkelur ligjin në një apo më shumë raste për të cilat po akuzohet.