Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë ose 59 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Muaji Mars shënoi një rekord të ri të flukseve hyrëse turistike prej gati 735 mijë vizitorësh të huaj ose 91% më shumë krahasuar me marsin e vitit të shkuar.
Shifrat i ka bërë publike ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në faqet e saj zyrtare:
“Mbi 1,7 milionë turistë të huaj na kanë vizituar gjatë 3 muajve të parë të 2024-ës. 734 mijë vizitorë të huaj erdhën në Shqipëri gjatë muajit Mars i cili sapo shenjoi një standard të ri në shifra e duhet t’i përgjigjemi me të njëjtin standard në mikpritje”, njoftoi ministrja Kumbaro.
Një ditë më parë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit nga panairi Ndërkombëtar i Turizmit nënvizoi se sfida tashmë nuk janë numrat, por garantimi i standardeve, cilësisë dhe turizmi elitar.
Java që vjen nis me një ngjarje të rëndësishme për turizmin, siç është takimi i 70-të i Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferenca e Investimeve gjatë së cilës do të prezantohet udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania”. Kjo është hera e parë që Shqipëria pret zyrtarisht një event të Organizatës Botërore të Turizmit.