Kandidati i BDI-së për president në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani në një intervistë për “KallxoPernime” më 06.04.2024 ka thënë se propozimi 9 pikësh për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës ishte propozuar nga ai si kryesues i OSBE-së.
I njëjtit, sipas Osmanit ishte bërë plan i Qeverisë së Kosovës.
Por, me këtë nuk është pajtuar zëdhënësi i ekzekutivit kosovar, Përparim Kryeziu.
“Dje e kuptuam që plani 9 pikësh i OSBE-së, qenka hartuar nga vetë z. Bujar Osmani. Një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë” – ka deklaruar Kryeziu.
“Në fund, ky plan, nuk u bë plan i qeverisë. Deeskalimi ndodhi. Pa e dëmtuar sovranitetin e pa rrezikuar sigurinë. Në katër komunat në veri ka më shumë normalitet se kurdoherë tjetër. Sa herë që ka patur tensione, ato janë shkaktuar nga struktura e organizime kriminale” – thuhet tutje në reagimin e zëdhënësi të qeverisë.
Gjatë intervistës në KallxoPernime, Bujar Osmani kishte shpjeguar se ishte një plan i propozuar nga OSBE dhe ai si drejtues i këtij organi ndërkombëtar që kishin propozuar një plan për të dal nga kriza në veri të vendit.“Vizituam Akademinë për Policët, për së dyti bëra planin nëntë pikësh për deeskalim në veri të Kosovës, për shkak se si kryesues i OSBE-së është e vështirë të marrësh vendime për shkak se është me konsensus atje dhe prandaj e shfrytëzova mundësinë për këtë planin 9 pikësh, i cili u bë edhe plan i Qeverisë së Kosovës duke përfshirë këtu, shpalljen e zgjedhjeve normalizimin e situatës atje” – deklaroi ai.
Taravari kundër Osmanit për Planin 9 pikësh të OSBE-së për Kosovën: Ke keqpërdorur pozicionin për t’i bërë argatin Serbisë
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president i VLEN-it, Arben Taravari, ka reaguar pas komunikatës së lëshuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në lidhje me planin 9 pikësh të OSBE-së, për Kosovën.
Taravari shkruan se Qeveria e Kosovës ka zbuluar dje se në fakt ky plan është shkruar nga dora e Bujar Osmanit dhe jo nga ndërkombëtarët.
“Jam i shokuar të kuptoj se Osmani, si kryesues shqiptar i OSBE-së, ka keqpërdorur pozicionin e tij për t’i bërë argatin Serbisë duke bërë te vetat kërkesat e Beogradit.
Plani 9 pikësh i Bujar Osmanit ka kërkuar tërheqjen e policisë speciale të Kosovës, nga territori legjitim i Kosovës. Ai ka kërkuar poashtu dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore.
Dokumenti i Bujar Osmanit ka kërkuar që të mos qëndrojnë në veri ata heronj që na bënë krenarë të gjithëve në rastin e sulmit të Vuçiqit në Banjskës, ku u vra nga terroristët serbë polici dëshmor Afrim Bunjaku.
Fatmirësisht mendoj, qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar planin e Bujar Osmanit, sepse po të ishte pranuar ai plan, bandat e Vuçiçit nuk do të kishin gjetur rezistencë.
Na vjen të gjithëve vështirë, kur një politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut, siç është Bujar Osmani, mban qëndrime të tilla antikombëtare në rastin e Kosovës”, thuhet në reagimin Arben Taravarit.