Ballina Aktualitet Ikën në amshim dy qytetarë të njohur të Tetovës (VIDEO)

Ikën në amshim dy qytetarë të njohur të Tetovës (VIDEO)

Nga Shpresa Sinani

Sot me nderime u varrosën dy qytetarë të Tetovës!
Cen Berisha duajen i valles shqiptare dhe Haxhi Ismeti humanist ,që me pensionin e tij ushqente shpezët dhe kafshët dhe me dekada pastronte rrugën,krasitte drutë,rregullonte vijën e ujit , mos ta damton rrugën…!
U prehshin në paqë dhe kur mos u harrofshin!
Le të prehen në paqë shpirtrat e tyre: fisnik,artistik,humanist,që do ti mungojnë Tetovës!/Shpresa Sinani

 

Vdiq shqiptari i fundit në Tetovë që mbante gjithmonë me krenari dhe me elegancë plisin e bardhë kombëtar në kokë.
Dje ndërroi jetë baca Cen / Hisen Berisha – Valltar legjendar i SH.K.A Xheladin Zeqiri – Tetovë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Bacën Cen Berisha – Dragomaci, djali i udhëheqësit të Ballit Kombëtar, Arif Kapedanit!
Ishte Ikona e valles burimore dhe tradicionale shqiptare, shqiponja dhe emblema e SHKASH”Xheladin Zeqiri”-Tetovë !
Njeriu që asnjëherë nuk e tradhëtoi plisin!
Të qoftë dheu i lehtë ARTISTI I KOMBIT “KAÇAKU I SHARRIT”

Në kujtim të Cen Berishës, valltarit legjendar të folklorit shqiptar

Bekim Ramadani
Muzikolog

Cen Berisha – një valltar popullor, të cilin fati e mori në moshën 90 vjeçare, nuk ishte thjesht një kërcimtar – ishte një trashëgimtar dhe ruajtës i thesarit tonë kulturor, një artist i rrallë që ia përkushtoi gjithë jetën e tij pasurisë së vlerave tona kombëtare. Ai ishte një artist me dashuri të pakrahasueshme për kombin shqiptar, një fakt që vërehej në veshjen e tij, në lëvizjet, mimikat, të folurit e tij përplot mall, dashuri, pasion dhe guxim.

Ka lindur në Tetovë në datën 1 mars 1934. Në të gjitha dokumentet zyrtare është i regjistruar si Isen Ibraimi, por ja që askush nuk e njeh si të tillë. E njohin si Isen Drogomaci, si plaku me plis të bardhë, si djali i Arif Kapedanit, si kërcimtari i Valles së Kaçakut, si Cen Berisha… Ka pasur një fëmijëri të zymtë, përplot ankth, përplot trazime, sepse duhej të zhvendosej me familjen e tij, herë pas here, nga një shtëpi në një shtëpi tjetër, nga një lagje në një tjetër, nga një fshat në një tjetër, për të jetuar fshehurazi, për shkak të qëndrimit të ashpër të babait të tij prej kaçaku. Ngushëllimin e vetëm për fatin e trishtë e gjente te vallet e shoqëruara me surle e lodra që luheshin nëpër dasmat tradicionale. Me kalimin e viteve, ai jo vetëm që mësoi këto valle, por u bë zëri dhe shpirti i tyre. Mësoi breza të tërë valltarësh duke u bërë një mentor dhe frymëzim për shumë të rinj.

Paraqitjet e tij ishin më shumë se thjesht shfaqje, ato ishin rrëfenja të jetës, luftës, dashurisë dhe gëzimit. Vallëzimi i tij i valleve epike ishte një udhëtim në kohë, një mënyrë për të ruajtur dhe transmetuar historinë dhe ndjenjat e popullit të përvuajtur e liridashës.

Cen Berisha ka marrë pjesë në qindra evenimente brenda dhe jashtë vendit. Kur e pyetje se cilat ngjarje i kanë lënë mbresë, ai përmendte ca përjetime shumë të veçanta që i kishin ndodhur në Ferizaj kur ishte quajtur befasia e qytetit, një në Drenicë me rastin e pajtimit të gjaqeve gjatë viteve të 90-a, një në Drenas kur emocionet kishin shpërthyer me armë zjarri, një në Preshevë kur edhe shefi i policisë i rrëmbyer nga euforia e kishte zbrazur revolen në erë, një në Shkup me rastin e festave të majit kur turmës nuk i ishte dukur fundi, pastaj aktivitetet me ShKA “Xheladin Zeqiri” në Bursë të Turqisë gjatë vitit 1973, në Strugë në festivalin e parë “Këngë jeho” në vitin 1992, në Tetovë në festivalin e parë “Sharri këndon” në vitin 1994 etj. Më e veçanta nga memorja e tij është turneu në Shqipëri gjatë vitit 1980 me ShKA “Xheladin Zeqiri”. Ky udhëtim kishte qenë një mundësi e mirë për t’u njohur me peizazhin e bukur shqiptar, me njerëzit e të njëjtit gjak si dhe me arritjet e tyre në fushën e arsimit dhe të kulturës. Pas çdo shfaqjeje ishin organizuar darka solemne ku nikoqirët dhe mysafirët kishin këmbyer mendime dhe përvoja nga më të ndryshmet. Bile nga autoritetet e shtetit ishin shpërndarë edhe mirënjohje, çmime, dhurata që ishin zbukuruar me fjalë miradije për amatorët nga Tetova, ndërkaq nuk kishin munguar as emocionet e thella që ishin shfaqur nën ndikimin e komunikimit të përzemërt e vëllazëror… Pas koncertit të shfaqur në Gjirokastër, kryetari i komitetit ekzekutiv të rrethit, z. Resul Zani, kishte organizuar një mbrëmje solemne për t’i nderuar me vlerësime të larta, para së gjithash, udhëheqësit e seksioneve të shoqërisë kulturore-artistike nga Tetova për punën fisnike dhe kontributin e çmuar. Pasi kishte ftuar në foltore përfaqësuesin e solistëve (Azir Aziri), të orkestrës (Hasan Kamberi), pastaj këngëtaren më të re (Shpresa Qamili), radha i kishte ardhur përfaqësuesit të valltarëve, kërcimtarit popullor, Cen Berisha. Ky i shkreti ishte shtangur në vend sepse nuk kishte ditur si ta refuzonte dollinë që duhej ngritur së bashku me kryetarin, nuk kishte gjetur zgjidhje si t’i ikte gotës me raki që i madhi Resul Zani e cakërronte me artistët e përzgjedhur. Atëherë Thoma Kristi, një nga nikoqirët zemërgjerë, aty afër, i ishte drejtuar bacës Cen: “Shko e mos u vono se është një nder i madh!” Në anën tjetër, të gjithë anëtarët e shoqërisë “Xheladin Zeqiri” kishin mbetur me ankthin e pritjes për faktin se nuk kishin qenë të sigurt për aftësinë oratorike të kryevalltarit Berisha.

“Ju lutem për qetësi të dashur artistë! Para jush e kemi kërcimtarin e denjë, lëvizjet koreografike të të cilit janë domethënëse dhe me kuptim të gjerë. Tani ne të dy do ta ngremë nga një gotë raki për nderimin që na keni bërë në tonën Shqipëri!” ishte shprehur njeriu numër një i rrethit. “I nderuar kryetar, 44 i kam plotsu, me alkool s’jam përdoru, por urdhrin tënd nuk lë pa e pranu.” ishte përgjigjur baca Cen. Pas një heshtjeje që mbretëroi në sallë, personazhi kryesor i “Vallja e kaçakëve” shpërtheu si rrufe. “Shoku kryetar, pra, po i flas do fjalë që do i rreshtoj’ dhe kurrë s’do i mohoj’. Un’ si Cenë dhe Berishë po flas n’emër të shoqnisë. T’lumtur ishim pa u nis’, kur morrëm vesh se çelet kufini i Shipnisë. N’kufi t’vatanit pritshin ata t’Elbasanit, mikpritje bujare, mikpritje shqiptare. Bashkë me ta n’autobus jemi hy, fusha e male tu shiju me sy. Burra e gra kudo punojshin, katun e qytet zbukurojshin. Sa i lumtun jam n’kët’ jet’, se me ju jam zatet. Tash i lidhim dur e gishta, se me ni got e di çi s’prishna… G’zuar!” Në sallë kishin shpërthyer duartrokitjet, kishin shpërthyer lotët e gëzimit dhe të përmallimit … Kështu ndodh kur frymëzimi të vjen papritur, kur fjalët e grumbulluara nën kësulë i ngulë me pullë… Hareja kishte vazhduar deri në orët e vona…

Baca Cen thoshte se vallen e ka të lindur, nuk e ka mësuar përmes shkollës, as përmes kurseve e seminareve, por nga dëshira e flaktë për të transmetuar në mënyrë artistike luftën epike. “Kam luajtur në mënyrë aktive gjithmonë, nga vegjëlia deri në moshën 70 vjeçare, si një valltar tipik shqiptar, kurrë pa plis të bardhë, kam luajtur vallen burimore burrnore, asnjëherë me sjellje femërore, me qafore e hallka dore siç sillen e duken shumë burra të botës bashkëkohore”, shprehej Cen Berisha.

Çdokush që ka pasur mundësi të shikojë vallen e tij të njohur “Vallja e Kaçakut” ka mbetur me gojën hapur, sepse interpretimi i tij ka qenë shumë i veçantë. Kjo valle karakterizohet nga një thellësi emocionale dhe simbolike që pasqyron jetën, kulturën dhe historinë e popullit shqiptar. “Kaçaku” në kulturën shqiptare është figurë e luftëtarit malësor që lufton për liri dhe drejtësi. I tillë ishte edhe Cen Berisha. Kjo valle, që simbolizon rezistencën, guximin dhe heroizmin, tani e tutje, mund lirisht të quhet edhe “Vallja e Cen Berishës” siç u mishëruan me interpretuesit e vet edhe vallet e njohura: “Vallja e Osman Takes”, “Vallja e Isuf Arapit” pastaj “Vallja e Ibrahim Hoxhës” etj.

Cen Berisha la pas një trashëgimi që do të vazhdojë të frymëzojë edhe për breza të tjerë, andaj le të mbajmë gjallë kujtimin e tij duke vazhduar të vlerësojmë, të ruajmë dhe të promovojmë folklorin që ai aq shumë e deshi dhe i shërbeu me gjithë zemër. Le të marrim prej tij shembullin e dashurisë për atdheun dhe kulturën tonë, le të marrim prej tij mësimet e çmueshme!

Kohëve të fundit e takoja të vetmuar, i ulur në parkun e vetëm të Tetovës, diku pranë lumit Shkumbin, duke soditur njerëzit se si vrapojnë pas pangopësisë së tyre, të shkëputur nga vallja e mirëkuptimit dhe dashurisë. Kur e pyetja se si ndihej, ai shpesh më përgjigjej me një qeshje të zbehtë duke më thënë: “Po shoh ritmin e botës që ka ndryshuar dhe unë po përpiqem të gjej hapat e mi në këtë melodi të re.” Edhe pse i vetmuar, baca Cen shfaqte një qetësi të çuditshme, sikur të ishte në paqe me ndryshimet që koha kishte sjellë. Kjo qetësi vinte nga jeta e tij e gjatë kushtuar artit të vallëzimit ku kishte mësuar se si ritmet ndryshojnë, por bukuria e vallëzimit mbetet e përjetshme.

Pusho në paqe, Baca Cen, dhe faleminderit që na dhe më shumë se vetëm valle – na dhe një pjesë të shpirtit tënd!/Marrë nga NISTORI