Sot bëhen nëntë vjet nga përleshja me armë në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë më 9 dhe 10 maj 2015, ku si pasojë, humbën jetën 8 policë dhe 37 të tjerë u plagosën, ndërkaq grupi ka humbur 10 persona. Veç kësaj, nga luftimet u shkatërruan dhjetëra shtëpi, duke e pasur parasysh se ngjarja ka ndodhur në lagje urbane, transmeton Portalb.mk.
Kumanova dy ditë jetoi në frikë dhe pasiguri. Të shtënat nisën në orët e para të mëngjesit. Kumanovarët d;gjonin fluturime me helikopterë. U mbyllën rrugët, u mbyll një pjesë e qytetit, pothuajse e gjithë lagjja Tode Mendol. Fabrikat në atë pjesë të qytetit nuk punonin.
Kumanovarët e kujtojnë këtë si ngjarje jashtëzakonisht tragjike. Të shtënat ishin me intensitet të ndryshëm, nga disa vende shihej tym i dendur. Forcat e sigurisë evakuuan banorët, hyrja nga rruga kryesore “Tode Mendol” u lejua vetëm për policinë, ambulancën dhe zjarrfikësit. Disa nga banorët nga “Lagjja eTrimave” u evakuuan te të afërmit. Policia evakuoi disa herë banorët.
Qytetarët e Kumanovës thonë se ngjarjet nuk duhet të harrohen dhe të mos përsëriten kurrë.
Më 2 nëntor të vitit 2019, dy vjet dhe pesë muaj pas ngjarjeve të 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në lagjen e Kumanovës “Lagjja e Trimave”, dhe një vit e tetë muaj pas fillimit të gjykimit, Gjykata Themelore e Shkupit miratoi vendim shkallës së parë kundër të akuzuarve për veprën penale “Terrorizëm”.
Aktgjykimi :
- 7+1 persona: burg të përjetshëm
- 13 persona: nga 40 vjet burg
- 6 persona: me nga 20 vjet burg
- 1 person: me 18 vjet burg
- 2 persona: me nga 14 vjet burg
- 2 persona: me nga 13 vjet burg
- 2 persona me nga 12 vjet burg
- 4 persona u liruan
Shtatë persona u dënuan me burg të përjetshëm për terrorizëm dhe organizim terrorist për ngjarjet në “Lagjen e Trimave”, 13 persona u dënuan me nga 40 vjet burg, gjashtë me nga 20 vjet, një me 18 vjet, dy me nga 14 vjet, dy me nga 13 vjet dhe me nga 12 vjet. 4 prej të akuzuarve janë liruar.
Një ditë më pas u shqiptua dënim me burg të përjetshëm edhe për të akuzuarin tjetër, Sulejman Osmani, për të cilin gjykimi ishte kryer ndaras nga grupi për shkak se fillimisht nuk ka qenë i kapshëm për organet e rendit.
Për shkak vendimeve, të cilat mbrojtja i quajti drakonime, ka pasur protesta në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri.
Të dënuarit e ankimuan vendimin, por Gjykata e Apelit, nuk e ndryshoi.
Më 3 janar 2022 Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut e konfirmoi se ka miratuar vendim për rastin e njohur në opinion si “Kumanova”. Sipas vendimit, Supremja i ka hedhur poshtë ankesat e të dënuarve si të pabaza dhe e ka konfirmuar aktgjykimin e Apelit. Sipas Ligjit për Procedurë Penale, pala mbrojtëse nuk ka të drejtë ankese ndaj vendimit të Gjykatës Supreme.
Sipas kësaj, për të dënuarit janë “mbyllur dyert” për kërkim të drejtësisë brenda Maqedonisë së Veriut, por ata mund të ankohen në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Konfirmimi i aktgjykimit të Apelit, nënkupton që të dënuarit mbesin me dënimet që u janë shqiptuar nga Penalja dhe më pas të konfirmuara nga Apelit.
Hetimi ndërkombëtar që u premtua e s’u bë
Të dënuarit, por edhe një pjesë e opinionit dhe përfaqësuesve politik, kishin dyshime për inskenim të rastit, me qëllim që të ndalohet publikimi i materialeve të përgjuara “bombave” nga e liderit të atëhershëm opozitar, Zoran Zaev, i cili nëpërmjet bisedave të cilat ishin përgjuar paraprakisht nga Shërbimi Sekret i Maqedonisë, zbulonin kriminalitetin e pushtetit e cila asokohe udhëhiqej nga famëkeqi Nikolla Gruevski i cili ishte në koalicion me partinë shqiptare të Ali Ahmetit, BDI.
Duke pasur mungesë të besimit në gjyqësor, e sidomos pas gjithë asaj që u dëgjua në “bombat” e publikuara se gjykatësit i ka zgjedhur shefi i atëhershëm Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov, në bashkëpunim me ministren e atëhershme të Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, e cila madje, mbante dhe defter me emra të gjykatësve të zgjedhur, hetimi kërkohej që të bëhet nga një organ i pavarur ndërkombëtar me qëllim që të konstatohen faktet dhe rrethanat për ngjarjen e armatosur.
Hetimi ndërkombëtar gjithashtu kërkohej për faktin se në opinion u shpërndanë një sërë (dez)informatash të cilat në masë të madhe ishin të paverfikuara. Kishte zëra që rastin e quanin të inskenuar nga Shërbimi Sekret i Maqedonisë në bashkëpunim me disa pjesëtarë të grupit, por kjo nuk u zbardh gjatë seancave gjyqësore.
Lideri i partisë e cila ishte në pushtet kur ndodhi rasti, por edhe pasi Gruevski ra nga pushteti, Ali Ahmeti, e ka përsëritur qëndrimin se kërkojnë grup ekspertësh ndërkombëtar që ta sqarojnë tërë rastin. Opozitari Zaev pasi u bë kryeministër, gjithashtu kërkoi që të huajt ta hetojnë se kush qëndron prapa rastit.
Hetim ndërkombëtar është kërkuar edhe nga Aleanca për Shqiptarët, është paralajmëruar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ish presidenti dhe ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Më herët ka pasur kërkesë të ngjashme edhe nga ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shala, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti slloven Borut Pahor. Thirrje të tilla ka pasur edhe nga eurodeputetët, zyra e të Drejtave të Njeriut në OKB, Kosovë, Shqipëri, figura të tjera politike dhe ekspertëve për çështjet e brendshme.
Në pikën 2 të marrëveshjes së partisë Alternativa për hyrje në Qeveri, e cila u nënshkrua më 5 dhjetor 2021, gjithashtu është përmendur hetimi ndërkombëtar.
- Qeveria do t’i dërgojë kërkesë zyrtare Komisionit Evropian në të cilën do të kërkojë ekip ekspertësh të pavarur, të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar në proceset e dyshuara për ndikim politik, siç janë: Monstra, Alfa, Lagjja e Trimave, Almiri i vogël.
Megjithatë, Alternativa doli nga Qeveria, por kjo nuk u bë.
Për pastrimin e rastit, BDI ka kërkuar dhe më pas është formuar edhe Komisioni Anketues në Kuvend, por përveç seancës konstituive, komisioni nuk ka bërë asgjë, ndërkaq avokatët e të akuzuarve nuk janë kërkuar që eventualisht të japin dëshmi apo materiale.
Pavarësisht epilogut gjyqësor, ende nuk është konstatuar nëse rasti ishte inskenim dhe nëse shërbimet sekrete i vendit ishte i përfshirë.
Në lidhje me ngjarjet më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në opinion vazhdimisht janë shpërndarë shumë spekulime. Megjithatë pjesëmarrësit në luftime edhe pse janë dënuar, porositësit e ngjarjes ende nuk i ka parë drita e drejtësisë.
Deri më tani është e njohur:
- Kanë vdekur 8 pjesëtarë të njësiteve speciale të Maqedonisë, ndërkaq 37 janë lënduar;
- Grupi i Kumanovës ka numëruar mbi 40 anëtarë;
- Në luftimet me policinë, janë vrarë 10 anëtarë të grupit;
- Pas luftimeve, policisë i janë dorëzuar 28 anëtarë të grupit;
- Si udhëheqës të grupit theksohet të kenë qenë, Muhamed Krasniqi i ashtuquajtur komandat Malisheva, Mirsad Ndreca – komandat NATO, Sami Ukshini – komandant Sokoli, Beg Rizaj – komandat Begu dhe Dem Shehu – komandant Juniku;
- Grupi më shumë se gjashtë muaj ka qenë i ndjekur nga shërbimet sekrete të Maqedonisë;
- I njëjti grup është përgjegjës për sulmin në Stacionin Policor të Goshnicës më 21 prill të vitit 2015;
- Në rrethinën e fshatit Brezë, në një bunker në hapësirë të hapur është gjetur armatimi i vjedhur nga Stacioni Policor në Goshincë (vendin e ka treguar njëri nga të arrestuarit në aksionin në Kumanovë, (Sulejman Osmani), i cili fillimisht, sipas mediave u ka ikur forcave policore, ndërkaq më pas i njëjti është kapur;
- Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se ka marrë pjesë në bisedimet për dorëzim të grupit;
- Njëri prej të arrestuarve ka qenë i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (kompetentët e kanë konfirmuar këtë informatë pasi mediat i kanë pyetur);
- Shërbimi Sekret i Maqedonisë ka informuar se për ngjarjet në Goshincë dhe Kumanovë “në lidhje me qëllimet e grupit, kapacitetet e tyre, bazat logjistik, kursit të aksionit të armikut”, ata kanë informuar më herët në korniza të kompetencave të tyre, në pajtueshmëri më ligjin për Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.
Spekulime:
- Përfaqësuesit e shërbimeve sekrete të Maqedonisë kanë kontaktuar me anëtarët e grupit disa muaj përpara ngjarjeve të 9 dhe 10 majit;
- Agjencia e Kundërzbulimit të Kosovës e ka informuar presidenten e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Isa Mustafa për incident eventual në Kumanovë;
- Përmenden emra të disa politikanëve, agjentëve dhe funksionarëve për përzierje në incidentin e Kumanovës;
- Policia nëpërmjet bisedave të përgjuara ka zbuluar se grupi i Kumanovës ka planifikuar që ta sulmojë burgun e Kosovës në Podujevë dhe t’i lirojë dy persona;
- Luftimet në Kumanovë kanë qenë të skenuara, gjegjësisht grupi nuk është dashur të luftojë, por vetëm të gjuajë në ajër, ndërkaq më pas i njëjti është tradhtuar dhe ka ardhur deri tek incidenti;
- Planet për Kumanovën janë bërë në një automjet “BMW” në Ferizaj;
- Një natë përpara aksionit janë evakuuar 70% e popullatës nga “Lagjja e Trimave”;
- Situata ka dalë nga kontrolli kur anëtarët e grupit kanë filluar të gjuajnë ndaj policisë.
Më poshtë mund ta shihni videon e publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme gjatë aksionit dhe video të vizitës së Portalb pas mbarimit të luftimeve: