Ballina Top Lajm Stuhia diellore do të godasë Tokën gjatë fundjavës, mund të shkatërrojë internetin

Stuhia diellore do të godasë Tokën gjatë fundjavës, mund të shkatërrojë internetin

Toka po përgatitet për ardhjen e një stuhie të fortë diellore dhe efektet e para pritet të shfaqen të premten në mbrëmje, ndërsa ato më intensivet priten të shtunën, për herë të parë që nga viti 2005.

Qendra e Parashikimit të Motit Hapësinor e agjencisë amerikane parashikon ndikime në rrjetin elektrik, në sistemet e navigimit satelitor si GPS dhe probleme me satelitët, mjetet hapësinore si dhe mund të sjellë shkëputje totale të lidhjeve të internetit në të gjithë globin.

Aktivitet intensiv diellor

Sipas ekspertëve, stuhia mund të fillojë në orët e ardhshme.

“Por aktiviteti diellor do të mbetet intensiv edhe në periudhën e ardhshme, po i afrohemi kulmit”, thotë për ANSA Mauro Messerotti, profesor i Meteorologjisë Hapësinore në Universitetin e Triestes.

Stuhia është për shkak të aktivitetit intensiv të një grupi gjigant njollash diellore, të quajtur AR3664, i cili shtrihet për rreth 200,000 kilometra, pra afërsisht 16 herë më i madh se Toka.

Është një nga rajonet më të mëdha dhe më aktive të vëzhguara në këtë cikël diellor, i cili filloi në dhjetor 2019.

“Rajoni AR3664 karakterizohet nga një kompleksitet i madh, me fusha magnetike shumë intensive që shkaktojnë një situatë veçanërisht të paqëndrueshme, vëren Messerotti, dhe është aq i madh sa është i dukshëm edhe me sy të lirë, padyshim gjithmonë me mbrojtje adekuate”.

Origjina e shpërthimeve

Disa nxjerrje masive koronale (CME) po shkojnë drejt Tokës. Një model i ri parashikimi nga Qendra e Parashikimit të Motit Hapësinor të NOAA sugjeron që 2 ose 3 nga këto re plazmatike diellore mund të bashkohen për të formuar një “CME kanibaliste” të fuqishme.

CME-të kanibaliste formohen kur CME-të me lëvizje të shpejtë kapërcejnë CME-të më të ngadalta përpara tyre, valët e brendshme të goditjes të krijuara nga përplasje të tilla shkaktojnë stuhi gjeomagnetike ndërsa godasin fushën magnetike të Tokës.

Shpërthimet masive koronale filluan midis 8 dhe 9 majit në rajonin aktiv 3664 të Diellit, i cili ditët e fundit ka gjeneruar gjithashtu shpërthime të shumta (d.m.th. emetime intensive të rrezatimit elektromagnetik).