Udhëheqësi kinez foli me atë rus për mundësinë e një armëpushimi gjatë Lojërave Olimpike të kësaj vere. “Vetëm grekët e lashtë e respektuan atë” – ishte përgjigjja e Putin. Ndërkohë, “Kremlinologët” dhe ekspertët e Pekinit po debatojnë për kuptimin e përqafimit të dyfishtë mes të dyve.
“Armëpushimi olimpik? Po, presidenti Xi Jinping më foli për këtë. Ne e diskutuam këtë temë me të…”. Janë fjalët e Putin pasi u largua nga Pekini për në Harbin, një qytet verior kinez. Putin iu përgjigj pyetjes së një gazetari mbi temën e një armëpushimi në Ukrainë, që do të respektohej gjatë 3 javëve të Lojërave në Paris. Propozimi i presidentit francez Emmanuel Macron ishte në qendër të diskutimeve me Xi gjatë vizitës së tij më 6 maj. Putin tha se miku i tij kinez ia përcolli atë kërkesë. Nuk e dimë se me çfarë theksi, por ai i foli për këtë.
Kreu i Kremlinit vuri në dukje se parimet e armëpushimit olimpik “janë shumë korrekte”, sepse “gjatë shekujve ato u respektuan nga komuniteti botëror”, por shtoi se pakkush i zbatoi ato përveç grekëve të lashtë. Ai e mbylli me një goditje të pashmangshme kundër perëndimit: “Zyrtarët e huaj të sportit sot po politizojnë sportin dhe po shkelin vetë Kartën Olimpike. Në Perëndim po shkelin parimet e olimpizmit, por kërkojnë respekt nga Federata Ruse.”
Putin foli edhe për situatën në fushën e betejës: “Ukrainasit u përpoqën të merrnin një avantazh, të arrinin një pozicion strategjik, por nuk funksionoi dhe tani po propozojnë kushtet e tyre. Janë të çmendur apo çfarë?”.
Sa i përket ofensivës ruse në zonën e Kharkiv-it, Cari tha se objektivi tani për tani nuk është të marrë qytetin, por të krijojë një “zonë sigurie, një kordon sanitar” kundër granatimeve ukrainase në zonën kufitare. Kur u pyet për mundësinë e negociatave, Putin u përgjigj se Rusia nuk është ftuar në konferencën e Zvicrës qershorin e ardhshëm dhe “nuk do të lejojë që t’i diktohet një ultimatum mbi bazën e propozimeve të Ukrainës”.
Në fund, ai përsëriti lavdërimet e tij për propozimin kinez të shkurtit 2023, bazuar në 12 pika që niste me një armëpushim, por nuk përfshinte një tërheqje ruse nga territoret e pushtuara. “Kina ka një dëshirë të sinqertë për paqe” – tha ai.
Të enjten në mbrëmje, Xi Jinping përshëndeti mikun e tij me një përqafim të dyfishtë, pas një bisede të fundit dhe konsumimit të një çaji në Zhongnanhai, kopshti i lashtë perandorak i shndërruar në kështjellë të ndaluar të qeverisë komuniste kineze. Shpërthimi i dashurisë, jo shumë i zakonshëm në “gjuhën e trupit” të Xi, u filmua nga TV shtetëror kinez dhe video u bë virale në rrjetet sociale.
Ekspertët perëndimorë po debatojnë mbi skenën. Në të kaluarën Xi ishte përqafuar edhe nga presidenti francez Macron, por duket se pamjet nuk ishin publikuar nga shtypi i Pekinit. Analistët janë të ndarë edhe për interpretimin e përqafimit. Është e qartë se është Xi ai që vendos duart e tij të mëdha mbi supet e Putinit, por ai e bëri këtë si një “vëlla më i madh”, si aksionar i shumicës, ose për të treguar se për të kolegu rus është një pikë e vlefshme mbështetjeje? Megjithatë, dyshimet mbeten mbi ndjenjat reale strategjike kineze. ©Corriere della Sera, LAPSI.al