Nga Sektori për Punë të Brendshme kanë dhënë informacione shtesë në lidhje me vrasjen e sotme në Bogovinë të Tetovës, shkruan TV21. I dyshuari për vrasjen është identifikuar dhe është arrestuar, bëhet fjalë për 50-vjeçarin M.M. nga ky fshat, ndërsa viktima është 47-vjeçari me iniciale A.J.
“Sot (02.06.2024), në ora 10.30, në rrugën ,,Cvetan Dimov”, pjesëtarë të policisë nga SPB-Tetovë kanë ndaluar personin M.M.(50) nga Bogovina e Tetovës, i cili ishte me makinë të tipit “BMW“, me targat e regjistrimit të Tetovës. Ai dyshohet se rreth orës 10.15, në një objekt hotelierik në fshatin Bogovinë, me armë zjarri ka vrarë personin A.J.(47) nga i njëjti fshat, me të cilin që më parë kishin mosmarrëveshje. Gjatë kontrollit sipërfaqsor të automjetit, është gjetur një pushkë automatike. Ai po mbahet në stacionin e policisë për procedura të mëtejshme. Prokurori Publik dhe efektivët e policisë janë në vendin e ngjarjes, duke kryer inspektimin”, thuhet në njoftimin e SPB-Tetovë.