Euro 2024, festa më e madhe e futbollit në kontinentin evropian, fillon të premten, më 14 qershor. Për një muaj, 24 kombëtare do të luftojnë mes vete, 51 ndeshje në përgjithësi, në gjithsej 10 stadiume. Gjatë kësaj vere, ju do të dëgjoni, lexoni dhe shihni – në vendin e punës, në kafene, në shtëpi dhe në restorante.
A mund ekipi i jashtëzakonshëm francez, i udhëhequr nga ylli i i ri i Real Madridit Kylian Mbappe, ta fitojë atë? A do ta mbrojë titullin kampionia në fuqi, Italia? A mendoni se superylli në moshë i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, do ta përmirësojë rekordin mahnitës të shënimit të golave? Dhe, a është koha që më në fund trofeu “të vijë në shtëpi” për skuadrën mbresëlënëse të Anglisë?
Radio Evropa e Lirë vendosi ta ndërmarrë qëndrim më ndryshe, duke i vlerësuar pesë kombëtare pjesëmarrëse nga rajonet ku ajo raporton: Gjeorgjia, Hungaria, Rumania, Serbia dhe Ukraina.
Mbase këto vende nuk janë aq favorite sa ato që i përmendëm më lartë; por, gjasat janë se, në fund të fundit, asnjëra prej tyre nuk do të bëhet kampione e Evropës në Berlin të Gjermanisë më 14 korrik.
Por, secila prej tyre e ka një rrëfim të vetin për ta treguar. Prandaj, uluni dhe mësoni më shumë se pse ju duhet t’i shikoni ato, se kush janë lojtarët yje të tyre dhe se cili është këndvështrimi politik. Mos ta tallim veten, në Evropë – ashtu si në botë – politika dhe loja e bukur e futbollit janë një çift i moçëm që ende po e mban veten fort.
Duhet ta pranojmë se, shumica e ekipeve të futbollit e kanë një apo dy lojtarë, të cilët thjesht kanë cilësitë e një ylli. Një të tillë në të cilin varesh kur gjërat vështirësohen. Pastaj, kemi tjera lloje ekipesh. Ato të cilat funksionojnë si një njësi e stërvitura mirë dhe efikase.
Kjo është Rumania. Mbase jo ekipi më i mirë për sy, ndoshta tepër mbrojtës, por thjesht zor i mposhtur. Rumania nuk e pësoi asnjë humbje në 10 ndeshjet kualifikuese dhe i pranoi vetëm pesë gola.
Nëse jeni nostalgjik, Rumania mund të jetë ekipi juaj gjithashtu. Ky vendi i përjetoi ditët e lavdishme në mesin e viteve ’90, kur e arriti çerekfinalen e Kupës së Botës me një ekip të talentuar në Shtetet e Bashkuara, saktësisht para 30 vjetëve.
Ylli kryesor i ekipit ishte mbase lojtari më i mirë në historinë e futbollit rumun, Gheorghe Hagi, një lojtar elegant i njohur si Regele [Mbreti] në atdheun e vet, i cili luajti për dy ekipet më të mëdha spanjolle, Real Madridin dhe Barcelonën, në nivel klubi. Dhe, njeriu i cili e orkestroi tërë këtë nga stoli ishte mbase trajneri më i famshëm i kombit [së bashku me legjendën Mircea Lucescu], Anghel Iordanescu.
Tani, ta vlerësojmë lojën dhe stolin dhe do t’i gjejmë një Hagi dhe një Iordanescu gjithashtu. Djali i Gheorgheit, Ianis Hagi, i ka trashëguar disa aftësi driblimi nga babai, por edhe pse 25-vjeçar, ai ende nuk ka arritur lartësinë e babait të vet. Djali i Anghelit, Edward Iordanescu, e mori drejtimin e ekipit kombëtar më 2022 në një kohë kritikash për nepotizëm, por deri tani ka dhënë fryte. A është kjo vera kur djemtë do ta marrin vëmendjen nga baballarët e tyre të famshëm?
Përveç Hagit, një lojtar tjetër, të cilit i rëndon mbi supe një emër tjetër i madh futbolli, që duhet ta shikoni me vëmendje është: Radu Dragusin. Si adoleshent ai ia doli t’i bashkohej klubit më të madh italian, Juventus.
Megjithëse ai i ka bërë vetëm katër paraqitje për Zonjën e Vjetër, ai u bë njëri prej mbrojtësve më të mirë në ligën italiane, Serie A, sezonin e kaluar duke luajtur për Genoan, e cila e bleu atë nga Juventusi.
Loja e tij ishte aq mahnitëse saqë gjiganti anglez Tottenham i pagoi 25 milionë euro për të në janar 2024, duke e bërë atë futbollistin më të shtrenjtë rumun në histori.
Tifozët rumunë “ultras”, që nënkupton tifozët e flakët të ekipit, janë mbase një grup politik që ka anim të qartë nacionalist dhe ekstremist. Nuk dihet se sa prej tyre do të udhëtojnë në Gjermani për ndeshjet e evropianit, por nëse shkojnë në numër të madh, do të jetë interesant të shihet se çfarë do të bëjnë.
Në një ndeshje vitin e kaluar kundër Kosovës, ata e shpalosën një afshie të madhe me mbishkrimin: “Kosova është Serbi”, si dhe një me mbishkrimin: “Bessarabia është Rumani”, duke iu referuar një regjioni historik që mbulon Moldavinë e sotme dhe pjesë të Ukrainës jugore.
Rumania është njëra nga pesë vendet e vetme të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Besohet se rreth 100.000 rumunë jetojnë në Ukrainë. Ia vlen të përmendet George Simion, kryetari i Aleancës së ekstremit të djathtë për Bashkimin e Rumunëve (AUR), e cila zuri vendin e tretë në zgjedhjet për Parlament Evropian së voni.
Partia e tij e kundërshton vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën – e cila është njëra prej kundërshtarëve të Rumanisë në kampionat. Derisa Ukraina dhe Moldavia në përgjithësi kanë marrëdhënie miqësore dhe Bukureshti është njëri prej mbështetësve më të mëdhenj të Kievit, mund t’ia vlejë të shikohet se si do t’i përgjigjen njëri-tjetrit tifozët e të dy vendeve fqinje në ndeshjet hapëse të kombëtareve të tyre në turneun e Munihut më 17 qershor. Një atmosferë miqësore me dy palë tifozë të zbukuruar me ngjyrë të verdhë apo diçka më armiqësore.
A e keni ditur se Hungaria dikur ka qenë superfuqi e futbollit? Ju falet nëse nuk e dini, sepse ka qenë shumë kohë më parë, në vitet ’50, por ç’skuadër kishte! Me nofkën “Ekipi i Artë”, Hungaria e fitoi medaljen e artë olimpike më 1952 dhe e humbi vetëm një ndeshje nga viti 1950 deri më 1956.
Ajo disfatë erdhi kundër Gjermanisë Perëndimorë në finale të Kupës së Botës më 1954 – një befasi aq e madhe saqë gjermanët ende e cilësojnë atë si “Mrekullia e Bernit”, ku u zhvillua loja. Në një listë të përpiluar nga BBC më 2016, ekipi hungarez i cilësua si më i mirë në histori, para cilitdo ekip që kanë prodhuar ndonjëherë gjigantët e futbollit si Argjentina, Brazili, Italia apo Spanja.
Pushtimi rus i Hungarisë më 1956 shënoi fundin e asaj epoke. Futbolli hungarez nuk ka qenë kurrë më i njëjti dhe ka dështuar ta rikthejë lavdinë. Pas paraqitjes në Kupën e Botës 1986, Hungaria dështoi të kualifikohej për ndonjë turne botërori apo evropiani për tri dekadat pasuese!
Por, më 2016, hungarezët u kthyen në skenën më të madhe evropiane dhe i mposhtën fqinjët, Austrinë. Tani ka një ndjesi më ndryshe, ekipi i kaloi me lehtësi kualifikimet pa pësuar disfatë, dhe duke luajtur futboll të mirë pas një kohë shumë të gjatë.
Ajo mund të mos jetë kthyer në fron akoma, por Hungaria nuk ka udhëtuar në Gjermani vetëm për të qenë numër.
Hungaria ka Milos Kerkezin, një mbrojtës i krahut të majtë tejetej premtues, si dhe Laszlo Kleinheisler, një mesfushor i palodhshëm. Megjithatë, është vetëm një lojtar të cilit duhet t’ia vini veshin: Dominik Szoboszlai.
Szoboszlai mund të jetë futbollisti më i mirë hungarez prej kohës së legjendës Ferenc Puskas. Ai u bë kapiten i Hungarisë në moshën 21 vjeçe dhe mund ta kuptoni pse bashkëlojtarët dhe tifozët e adhurojnë njëlloj.
Nëse kryeministri autoritar i Hungarisë, Viktor Orban, e ka një pasion të vërtetë, ai është futbolli. Thuhet se ai i shikon disa ndeshje futbolli në ditë. Në rininë e tij, ai ishte futbollist për ekipin rumun Videoton dhe e ka themeluar një klub futbolli në fshatin e lindjes së tij Felcsut, i cili luan tani në ligën elitare të Rumanisë.
Stadiumi i klubit të tij mund të jetë vetëm simboli i kryelartësisë së Orbanit dhe stili i qeverisjes së tij. Stadiumi ultra modern dhe shumë i bukur, me rreth 3.800 ulëse, në një fshat të vogël, ndodhet vetëm pak larg vilës së kryeministrit, e cila u financua nga shteti me paratë kushtuar tatimpaguesve. Qeveria e Fideszit, që është në pushtet nga viti 2010, ka shpenzuar shumë në të gjitha llojet e projekteve të lidhura me futbollin.
Por, edhe nëse ato e cilësojnë veten si tifozët më të mëdhenj të futbollit, pasioni i Orbanit mund t’i kthehet bumerang. Përdorimi i parasë publike për futboll është duke ngritur shumë pyetje. Pastaj e kemi edhe “Brigadën Karpate” – njëfarë klubi jozyrtar i mbështetësve të ekipit kombëtar.
Kjo është një tjetër ide e Fidesz, i cili u përpoq t’i bashkonte tifozët e zjarrtë nga klubet e ndryshme të vendit me qëllimin e përbashkët për ta mbështetur kombëtaren e Hungarisë në ndeshje ndërkombëtare.
Ky eksperiment iu kthye bumerang shumë shpejt, pasi elementet ekstremiste e morën në dorë iniciativën. Ky grup është përfshirë në disa incidente famëkeqe në vitet e fundit, përfshirë në abuzimin në baza racore të lojtarëve me ngjyrë nga ekipet e tjera kombëtare dhe shpalosjen e afisheve homofobike, si pasojë e të cilave kombëtarja hungareze është dënuar me gjoba dhe me përjashtimin e tifozëve të rritur nga ndeshje të caktuara.
Ky duhet të jetë rrëfimi i këtij turneu që të bën të ndihesh mirë. Apo, së paku, duhet t’u ofrojë ukrainasve pak pushim nga sulmet e pareshtura ruse në vendin e tyre, të cilat po ndodhin tash e dy vjet.
Meqë lajmet nga vija e frontit janë të këqija, dhe mbështetja politike për vendin herë zvogëlohet e herë rritet në Perëndim, ka shpresa se sporti do të ofrojë gjëra të mira në vitin 2024. Pasi Oleksandr Usyk u bë së voni kampion i padiskutueshëm i botës në peshat e rënda të boksit pas dy dekadash, tani është koha që kombëtarja e futbollit ta bëjë goditjen e radhës mahnitëse.
Dhe ekipi i tanishëm ukrainas ka mjaftueshëm talent dhe dëshirë. Dëshmi për këtë janë dy ndeshjet e playoff-it në mars, të cilat Ukraina u desh t’i zhvillonte për të shkuar në Gjermani.
Së pari, u duk sikur Bosnja e Hercegovina po e mposhte skuadrën kaltëreverdh, ukrainasit i shënuan dy gola të shpejtë në fund të takimit për të shpëtuar. Dhe pastaj, pesë ditë më vonë, duke luajtur si vendës në qytetin polak Wroclaw, për arsye të ditura sigurie, Ukraina përsëri fitoi me rikthim të rezultatit kundër Islandës për ta siguruar biletën për turneun e verës në Gjermani.
Me një grup kryesisht të “lehtë”, ka gjasa që Ukraina ta barazojë arritjen e vet nga Euro 2020 dhe ta arrijë çerekfinalen. Por, këtë herë, Ukrainën do ta mbështesin edhe neutralët.
Ka shumë për të zgjedhur. Kapiteni dhe sulmuesi Andriy Yarmolenko. Mbrojtësi i kompletuar Vitaliy Mykolenko, portieri Andriy Lunin, i cili së fundmi luajti rol të rëndësishëm në triumfin e Real Madridit në Ligën e Kampionëve, si dhe Artem Dovbyk, i cili shënoi gola më shumë se çdo lojtar tjetër në ligën spanjolle këtë sezon.
Por, ta zgjedhim Oleksandr Zinchenko. Pasi e fitoi Premierligën katër herë me Manchester City, ai tani luan për rivalin më të madh të dy viteve të fundit të Cityt, Arsenalin. Ky djalosh është ëndrra e çdo trajneri. Pse? Sepse ai mund të luajë në shumë role dhe pozita dhe këtë e bën shumë mirë.
A është e nevojshme të theksohet? Patriotizmi është shumë i lartë në ekipin ukrainas. Të gjithë futbollistët flasin vetëm gjuhën ukrainase. Më një intervistë së voni, Zinchenko diskutoi për njërën prej çështjeve më të nxehta në shoqërinë ukrainase, thirrjen në ushtri, dhe tha se është i gatshëm t’i bashkohet ushtrisë nëse thirret. Dovbyk dhe anësori i Chelseat Mykhailo Mudryk dhuruan të holla për të blerë dronë për forcat e armatosura.
Por, mbase tregimi këtu janë fanellat verdhekaltër të Ukrainës. Në fakt, ato janë të njëjtat si në turneun e kaluar, Euro 2020, i cili u mbajt më 2021 për shkak të COVID-19. Fanella shkaktoi shumë polemika, edhe pse ishte para se Rusia ta niste pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, për dy arsye. E para, në pjesën e përparme të saj shihen qartazi kufijtë e Ukrainës si në hartë. Kjo përfshin edhe pjesën lindore të vendit që është nën kontrollin e Rusisë, si dhe Gadishullin e Krimesë, që e ka aneksuar Kremlini.
Kjo ishte cilësuar si provokim i mundshëm, sepse edhe Rusia ishte pjesë e atij turneu, por UEFA, organi qeverisës i futbollit evropian, e lejoi përdorimin e fanellave sepse në to ishin kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës. Por, UEFA nuk ishte e lumtur për një gjë tjetër në fanella, mbishkrimin “Slavia Ukraini” [Lavdi Ukrainës]. Ky mesazh cilësohej politik, prandaj u bë një kompromis, sipas të cilit ai mesazh u shkrua brenda fanellës, ku mbahet edhe sot.
Çështja tjetër është prodhuesi i atyre fanellave, kompania spanjolle Joma, e cila për një kohë të gjatë e ka furnizuar ekipin kombëtar ukrainas. Bashkëpunimi mes tyre do të përfundojë, pasi kompania vendosi të prodhojë rroba edhe për klubin rus, Zenit Shën Petersburg – klubi i vendlindjes së Vladimir Putinit, i cili financohet nga gjiganti i energjisë, Gazprom. Fanellat e ekipit kombëtar janë shumë më shumë se thjesht një pallë rroba të parëndësishme për këto ekipe.
Pas një çerekshekulli, Serbia kthehet në Euro. Por, në fakt është hera e parë që ajo luan vetëm si Republika e Serbisë. Më 2000, ajo u përfaqësua si Republika Federale e Jugosllavisë, e cila asokohe përbëhej nga vendet e sotme të pavarura, Kosova dhe Mali i Zi, dhe shumë kohë më parë ishte, natyrisht, Republika Federal Socialiste e Jugosllavisë, e njohur për tifozët vetëm si Jugosllavia.
Pra, çfarë të presim nga ky ekip? Mbase shumë. Çdo turne ka një befasi, një ekip që askush nuk e kishte pritur se do të shkojë larg në turne. Më 2020 ishte Danimarka që e arriti gjysmëfinalen, ndërsa më 2016 ishte Uellsi që arriti aq larg. Befasi këtë herë mund të jetë Serbia.
Askush nuk flet për të vërtetë, gjë që nganjëherë mund të jetë bekim. Shumica e lojtarëve të saj luajnë në liga të mëdha evropiane dhe shumica e tyre e fituan Kupën e Botës për lojtarët nën moshën 20 vjeç më 2015.
Pra, ata në njëfarë mënyre “janë rritur së bashku”. Mos u habisni nëse ata shpërthejnë në skenën më të madhe në Gjermani.
Nga ekipi serb mund ta zgjidhni cilindo sulmues. Aleksandr Mitroviq, i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares serbe dhe një bishë në ajër. Lluka Joviq dhe Dushan Vllahoviq janë dy yjet e vendit që ende nuk kanë shkëlqyer. Megjithatë, ky ekip është një hiç pa kapitenin Dushan Tadiq, i cili ka bërë më së shumti paraqitje për kombëtaren.
Ai mund të jetë 35 vjeç, por është ende ai që mban timonin. Kur njerëzit flasin për 10-shin e mirëfilltë, mos shikoni përtej Tadiqit, majtak, i aftë, pasues mahnitës, dhe goditës i paparë i topit. Nëse ai është në diskonim, topi vallëzon rreth tij.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbizotëron shumicën e aspekteve të jetës publike në Serbi, dhe futbolli nuk bën përjashtim. Dragan Dzhajiq, njëri prej futbollistëve më të mirë që ka pasur Serbia, është president i tanishëm i Federatës së Futbollit të Serbisë dhe ai erdhi në atë pozitë vetëm falë Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët praktikisht i ndaluan delegatët që besohej se do të votonin për një kandidat tjetër.
Dzhajiq ishte më herët president i njërit prej klubeve më të mëdha të vendit, Yllit të Kuq të Beogradit, ku u akuzua formalisht për mashtrim, pasi i shiti disa lojtarë. Gjykimi ndaj tij përfundoi më 2012, pasi presidenti serb në atë kohë, Tomisllav Nikoliq, i cili është anëtar i partisë së Vuciqit, Partia Përparimtare Serbe, vendosi ta falë atë nga përgjegjësia penale.
Në rrugët e Beogradit flitet se Dzhajiq është thjesht një figurë kukull. Njeriu i cili e udhëheq vërtet federatën e futbollit është zëvendëspresidenti Branisllav Nedimoviq, ish-ministër dhe njeri i afërt i Vuçiqit që nuk ka bagazh në futboll.
Serbia është vendi i vetëm evropian që ka luajtur kundër Rusisë prej se filloi pushtimi i plotë i Ukrainës para dy vjetëve. UEFA e përjashtoi Rusinë nga të gjitha ndeshjet zyrtare, që nënkupton se ekipi i saj nuk u lejua të luajë në ndeshje kualifikuese për Euro 2024, por mund të luajë ndeshje miqësore. Të gjitha ekipet evropiane nuk kanë pranuar të luajnë as miqësore me të.
Bosnja e Hercegovina pritej të luante kundër Rusisë, por një numër i lojtarëve të rëndësishëm nuk pranuan të luajnë dhe ndeshja u anulua. Serbia luajti kundër saj në Moskë në mars të këtij viti, megjithatë, dhe u mposht 4:0.
Nëse ju pëlqen ta mbështesni ekipin e favorizuar më së paku, atëherë përkraheni Gjeorgjinë. Nga 24 ekipet që marrin pjesë në Euro 2024, Gjeorgjia është ekipi i renditur më së dobëti – në vendin e 75-të. Ajo do të përballet me Portugalinë e Cristiano Ronaldos dhe me fqinjin e madh, Turqinë, e cila ka popullsi 20 fish më të madhe. Por, nuk duhet të nënvlerësohet pasioni për futboll i këtij vendi të vogël të Kaukazit jugor.
Në një kohë trazirash në vend, ku qindra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë së fundmi për ta kundërshtuar një ligj të stilit rus për “agjentët e huaj”, i cili ia rrezikon Gjeorgjisë rrugën euroatlantike, ky ekip mund të ofrojë njëfarë arratisje nga kjo.
Kur Gjeorgjia e mposhti në mars Greqinë me penallti për t’u kualifikuar për turneun e parë ndërkombëtar prej pavarësimit më 1991, i tërë vendi festoi sikur të ishte fundi i botës.
Natyrisht, mund të them Giorgi Mamardashvili, një portier shumë premtues që luan për Valencian në ligën spanjolle, i cili do të ketë shumë punë pasi Gjeorgjia pritet të luajë futboll mbrojtës.
Megjithatë, për këtë ka vetëm një përgjigje: Khvicha Kvaratskhelia – ylli më i madh i vendit dhe njëri prej atyre që pritet të shkëlqejnë në Gjermani me shpejtësinë dhe driblimet e tij mahnitëse. Ai i ndihmoi Napolit ta fitojë titullin e parë në Serie A të Italisë pas plot 33 vjetëve pritje. Ai u shpall lojtari më i mirë në ligë para dy sezoneve pasi e udhëhoqi skuadrën drejt titullit.
Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ka tentuar deri tani ta shfrytëzojë suksesin e kombëtares duke postuar fotografi duke festuar me ekipin. Kryeministri, Irakli Kobakhidze, pritet të jetë i pranishëm në Gjermani, së bashku me kryetarin e Tbilisit, pjesë e partisë së tij, dhe me Kakha Kaladze, dikur futbollist i Milanit në Itali, i cili tani është njëri prej mbështetësve kryesorë të Qeverisë.
Si po reagon ekipi kundër ligjit për agjentët e huaj? Anëtari i vetëm i ekipit që deri tani e ka mbështetur publikisht partinë në pushtet është 32-vjeçari Solomon Kvirkvelia, i cili shumicën e karrierës e kaloi në Rusi dhe tani luan në ligën e Arabisë Saudite.
Yjet Mamardashvili dhe Kvaratskhelia janë disi të pavendosur, duke theksuar se e ardhmja e Gjeorgjisë është në Evropë, por pa e dënuar ligjin. Budu Zivzivadze e ka dënuar disa herë publikisht ligjin.
Mbase lojtari i vetëm që ka qenë i zëshëm është numri 10 i skuadrës, Giorgi Chakvetadze, i cili shkroi në Instagram se “askush nuk është mbi popullin tonë; asnjë ligj nuk është mbi popullin. Tërhiqeni këtë ligj dhe ejani të bashkohemi përsëri, siç bëmë më 26 mars! Jo Rusi, por vetëm Evropë!”