Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar këtë të shtunë seancën e radhës stërvitore në kampin bazë kuqezi në Kaiserau në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e tretë të grupit ndaj Spanjës në Euro 2024. E pikërisht përpara ndeshjes së fundit në grup vjen edhe shqetësimi i parë në lidhje me gjendjen e lojtarëve për teknikun Sylvinho. Mbrojtësi Enea Mihaj ka ndjerë një shqetësim muskulor, por nuk duket se është diçka serioze.
I gjithë grupi është stërvitur i plotë nën urdhrat e teknikut Sylvinho dhe stafit teknik, me përjashtim të mbrojtësit Mihaj. Ai është stërvitur i diferencuar për shkak të lodhjes muskulore që ka ndjerë. Gjithsesi, Mihaj do të stërvitet me grupin nesër, në seancën e fundit zyrtare përpara ndeshjes dhe do të jetë në dispozicion për sfidën me Spanjën.
Sakaq, kuqezinjtë do të zhvillojnë nesër (e diel) seancën zyrtare stërvitore para ndeshjes po në Kaiserau, duke nisur nga ora 15:30. Një vendim i çuditshëm për të mos zhvilluar rifiniturën në stadiumin ku do të luhet ndeshja me Spanjën. Në stadiumin e ndeshjes, në Dyseldorf në ora 18:45, do të zhvillohet ndërkohë konferenca zyrtare e trajnerit Sylvinho dhe kapitenit Berat Gjimishiti. Ndeshja e tretë e Grupit B të Euro 2024, Shqipëri-Spanjë do të luhet më datë 24 qershor në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” të Dyseldorfit duke nisur nga ora 21:00.