Ballina Bota Numërimi në Francë drejt fundit – E majta korr sukses pa shumicë...

Numërimi në Francë drejt fundit – E majta korr sukses pa shumicë absolute, Macron fiton bastin personal dhe Le Pen merr mesazhin e fortë nga francezët

Francezët mund të tregojnë mbështetje për disa mendësi ose politika të artikuluara nga e djathta ekstreme ndër vite, e shpeshtuar këto të fundit edhe falë përdorimit të mediave sociale, por kur vjen çështja te fjala e fundit, ata mesazhin e kanë të qartë: Fashizmi nuk mund të na drejtojë.

Rezultatet e fundit të raundit të dytë të votimeve në zgjedhjet e parakohshme legjislative e reflektojnë këtë, me një goditje të vërtetë për Marine Le Pen dhe Jordan Bardella në margjinat e asaj që mendohej fillimisht se do të ishte një fitore e lehtë për ta.

Temë diskutimi madje dukej të ishte vetëm nëse do të kishin një shumicë absolute apo jo.

Epo të gjithë duhet të rimendohen, sepse Ressemblement National e ekstremit të djathtë jo vetëm nuk mori shumicën, por u radhit si forcë e tretë.

Me më pas se 15 zona të mbetura për t’u numëruar, janë të majtët e Frontit të Ri Nacional, ata të cilët e shohin veten të epërm në garë, me 180 mandate. Një arritje e madhe dhe rritje tejet domethënëse me mbi 50 mandate nga zgjedhjet e shkuara.

Ensemble, koalicioni qeverisës i presidentit Emmanuel Macron ka një rënie të ndjeshme me rreth 70 mandate nga hera e shkuar. Por në kushtet kur mendohej se do të kishte një kapitullim tërësor dhe me tërheqjen e mbi 200 kandidatëve nga raundi i dytë, ky rezultat është jo vetëm një mrekulli për kreun e shtetit, por edhe një tavolinë shahu përpara tij tashmë, për të venosur gurët. Ensemble është në kuotën e 165 mandateve deri tani.

RN-ja e Le Pen ndërkohë është në 143. Edhe pse një humbje e dhimbshme dhe mesazh i fortë kundrejt të djathtës ekstreme, duhet pranuar se partia e saj ka një rritje prej mbi 40 mandatesh. Mbi të gjitha, fjalimi i Bardella-s reflektoi një të vërtetë të madhe, atë se u desh që të gjithë të bashkoheshin kundër tyre, që të kishin sukses.

Në mandate domethënëse janë edhe Republikanët, me 45 ulëse në Asamblenë Parlamentare franceze. Më tej të djahtët me 15, e majta me 13 dhe centristët me 6.

Ka edhe disa mandate të shpërndarë në parti të tjera.

Diskutimi, shtrohet ndërkohë rreth disa pyetjeve:

Pra, a e ka humbur presidenti bastin e tij? A është penduar për nxitimin e tij në shpalljen e zgjedhjeve? A është gati të bëjë një hap prapa?

Mund të jemi të sigurt se kjo nuk është ashtu siç e sheh Macron. Ai do të thotë se e thirri votimin sepse situata ishte e paqëndrueshme; se ai ka sqaruar politikën, i ka ofruar RN-së një pjesë më të drejtë të vendeve në Kuvend, duke pasur parasysh mbështetjen e tyre të gjerë; dhe se loja e tij se francezët nuk do të vendosnin kurrë në pushtet të djathtën ekstreme ishte e saktë.

Dhe ndërkohë, ai nuk është larguar saktësisht. Fuqia e Macron mund të jetë në rënie. Por ai është ende atje në Elysee, duke u konsultuar me ekipin e tij, duke nxitur politikanët, ende mjeshtër i orës politike.

Basti i tij i rrezikshëm, u shpërblye dhe arriti tre gjëra thelbësore:

1-Një mobilizim të jashtëzakonshëm elektorati (kuota më e latë e votimit në katër dekada).

2-Ndaloi RN-në të merrte shumicën absolute.

3-Edhe pse humbi, ai është ende lojtari kyç, duke e mbajtur veten si të domosdoshëm për të majtën./Albanianpost.com