Komuna e Tetovës ka publikuar programin e edicionit të këtij viti të festivalit “Vera Tetovare” me moton e këtij viti “Festojmë në Vendlindje – Vera Tetovare”, transmeton Portalb.mk.
“Do të kemi ditë të mbushura me një seri aktivitetesh kulturore e sportive të cilat kremtojnë kulturën tonë. E gjitha kjo do të fillojë me 16 korrik dhe do të përfundojë me 2 gusht”, njoftoi Komuna e Tetovës.
Në programin e festivalit përfshihet Java sportive (16-21 korrik), Vera kulturore (21-26 korrik), Qytetaria, kultura dhe trashëgimia e Tetovës (23-28 korrik), Festivali i rinisë tetovarë “N’Rrug fest” (25-29 korrik) dhe Netët e filmit (30 korrik – 2 gusht).
“Më pas do të organizohen aktivitete të pasura me muzikë, film dhe art, Festivali i Rinisë Tetovare “N’RRUG FEST”. Ky program i pasur i Verës Tetovare do të ketë edhe Natën Maqedone, Natën Turke dhe Natën Rome”, sqaroi Komuna.
Kjo ngjarje kulturore është shndërruar në tradicionale, pasi në periudhë gati të njëjtë është mbajtur edhe në vitet e kaluara. “Vera Tetovare 2023” kishte filluar më 26 korrik ndërsa kishte mbaruar më 4 gusht.
Vera e Kulturës Tetovare tani më është shndërruar në një traditë pa të cilën vera në Tetovë nuk ka kuptim. Me një program të begatë disa ditor qyteti gjallërohet nga aktivitete të ndryshme kulturore, artistike, sportive dhe jo vetëm.