Rusia reagon me ton kërcënues ndaj NATO-s. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pretendoi se aleanca perëndimore nuk dëshiron paqe, teksa paralajmëroi një kundërpërgjigje efektive ndaj kërcënimeve të sigurisë.
Duke komentuar konkluzionet e NATO-s në samitin e Uashingtonit, ai thotë se mesazhi që mori Rusia ishte se perëndimi nuk dëshiron paqe por vetëm asgjësimin e Federatës. “NATO është de fakto plotësisht e përfshirë në konfliktin ukrainas dhe qëllimi i Aleancës është të shtypë Rusinë”, nënvizoi Peskov. Zëdhënësi i Kremlinit paralajmëroi dhe lëvizje nga Rusia për t’iu kundërvënë zgjerimit të NATO-s në lindje, vendosjes së armatimeve të rënda në kufi me Federatën dhe planeve për pranimin e Ukrainës në aleancë.
“NATO konfirmoi se është një aleancë e krijuar për konfrontim. Një reagim, edhe pse jo të drejtpërdrejtë, e pati edhe presidenti rus Vladimir Putin, që në një event të aleancës BRICS akuzoi perëndimin se “po përpiqet të zëvendësojë të drejtën ndërkombëtare me traditat më të mira të kolonializmit klasik”. Ai akuzoi atë që e quajti “miliardi i artë”, një referencë konspiracioni për elitat e pasura që sipas rusëve kontrollojnë botën, për konfliktet aktuale dhe kërkoi ndryshime drastike në shahun politik global.
“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ulur tensionet ndërkombëtare dhe për të krijuar një rend botëror më të drejtë, demokratik, shumëpolar dhe shumëpalësh”, tha Putin.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Ryabkov, njoftoi se vendi i tij po përgatit një përgjigje ushtarake ndaj vendosjes së raketave hipersonike amerikane në Gjermani. “Këto veprime kanë për qëllim kryesisht të dëmtojnë sigurinë e vendit tonë”, pretendoi ai. Më të ashpra ishin fjalët e zgjedhura nga Dmitry Medvedev, duke iu referuar konkluzioneve në Uashington.