“Nuk ka dyshim se ardhja e Olaf Scholz-it, kancelarit gjerman, që në shikim të parë duket si shenjë respekti për shtetin dhe kreun e tij, është në fakt ajo që quhet “puthja e vdekjes”. Ashtu si kur mafiozi kryesor me një gjest të tillë shënjon atë që duhet dërguar të flejë me peshqit, thekson për gazetën serbe Danas profesori universitar serb Vlladeta Jankoviq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se do të bëhet vetëm nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit për burimet minerale.
Jankoviq ka thënë për Danasin se “qëllimi i vetëm i vizitës në Scholz-it është të vihet në letër dhe të vuloset ajo që është premtuar gojarisht shumë kohë më parë dhe se, e përkthyer në çdo gjuhë të kuptueshme, do të thotë të fillohet me shfrytëzimin e litiumit në Serbi, dhe më pas, sigurisht burime të tjera minerale, të cilat ishin dashur të jenë rezerva për prosperitetin e pasardhësve tanë”, transmeton Paparaci.
“Vendet e pasura mund t’i lejojnë vetes të kursejnë rezervat e tyre, të mos helmojnë dhe ta gëzojnë popullsinë e tyre me automjete elektrike, duke ua lënë pjesën e ndytë të punës të varfërve, të cilët e kanë lënë fatin e tyre në duart e pushtetdashësve të dobët. Si zakonisht, nënshkrimi në dokument, i cili, pa ekzagjerim, në thelb do të thotë vdekje e vendit, nuk do të nënshkruhet nga personi që e solli kapitullimin, por nga ndonjë burokrat i shkretë e i pa fytyrë”, ka thënë Jankoviq.
Kur u pyet nëse litiumi është Kosova e re, pra një temë që do ta bëjë Perëndimin “të shikojë nëpër gishta” shkeljet e shumta të ligjit nga Vuçiqi, mosrespektimin e të drejtave dhe procedurave demokratike, të gjitha për faktin se Serbia mund të jetë një burim i ri i lëndëve të para, Vlladeta Jankoviq thotë:
“Kosova ka qenë dhe mbetet çështje politike dhe, edhe më herët, gjeostrategjike nga pikëpamja e Perëndimit. Potenciali energjetik i Serbisë, dhe aktualisht rezervat e litiumit në veçanti, janë më shumë se çdo gjë tjetër çështje e interesave të kapitalit të madh të gjithëfuqishëm, kështu që pasojat e brendshme politike që prodhon lëvizja e këtij kapitali janë të kuptueshme. Në të dyja këto raste, Vuçiq është një kukull në një shfaqje, fundi i së cilës është i sigurt, por kohëzgjatja është e papërcaktuar”./Paparaci.com