Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka shqiptuar masën e paraburgimit me nga një muaj pesë të dyshuarve për krime lufte ndaj popullsisë shqiptare.
Gjykata ka treguar edhe për çka dyshohen të pandehurit D.C, D.N, M.SH, N.S dhe S.J.
Ata dyshohet se të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe më 5 prill të vitit 1999 në orët e para të mëngjesit kishin ndërmarrë një aksion ndaj fshatrave Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.
“Me qëllim dhe me dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuan popullatën civile shqiptare, si dhe kishin shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për secilin.
“Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse të pandehurit lihen në liri, paraqet rrezik që të njëjtit të ikin dhe të shmangen nga procedura penale, pasi janë shtetas të Republikës së Serbisë dhe mund të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë, po ashtu mund të bëjnë përpjekje të zhdukin provat materiale si dhe të ndikojnë në të dëmtuar ose në të pandehur të tjerë, të cilët gjenden në arrati, andaj gjyqtari i procedurës paraprake vlerësojë se masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhen e pa penguar në këtë çështje juridiko – penale”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Themelore.