Zjarre të mëdha kanë shpërthyer njëkohësisht në 3 zona periferike të Athinës dhe kanë vënë në alarm jo vetëm zjarrfikëset, por edhe gjithë infrastrukturën shtetërore greke. Sipas forcës zjarrfikëse, zjarret në këtë moment po përhapen në zonat Barnaba, Eretria dhe Megara.
Deri tani janë djegur disa banesa ndërsa u desh ndërhyrja e policisë dhe ambulancave për të dërguar në spital 10 persona me vështirësi në frymëmarrje. Mbrojtja civile njoftoi banorët që të jenë të gatshëm për t’u larguar nga zona, kurse forca të shumta policore kanë mbyllur kalimet që të çojnë atje.
Për shkak të erës të fuqishme që fryn në zonën e Atikës, janë vënë re vështirësi në përdorimin e mjeteve fluturuese. “Operacionet do të vazhdojnë edhe gjatë natës”, njoftoi mbrojtja civile. Për 48 orët e ardhshme, zonat e Atikës janë vlerësuar me rrezikshmëri 5, niveli më i lartë i alarmit kundra zjarrit në vend.
Një situatë e rëndë është edhe në zonën e Varnavas ku flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe mijëra banorë të zonave janë evakuuar. Mediat greke thonë se po bëhen të gjitha përpjekjet për të vënë situatën nën kontroll. ©LAPSI.al