Ballina Bota Lëvizja e Lukashenkos rrit tensionet, miku i ngushtë i Putinit vendos 1/3...

Lëvizja e Lukashenkos rrit tensionet, miku i ngushtë i Putinit vendos 1/3 e ushtrisë në kufi me Ukrainën

Shqetësimet në Evropën Lindore janë rritur pas sulmit të befasishëm të Ukrainës në Kursku. Tani Bjellorusia, një aleate e ngushtë e Putinit, duket se po futet në “lojë” pasi deklaroi se ka lëvizur një numër të madh njësish në kufirin e saj me Ukrainën.

Siç raporton Guardian, Minsk ka vendosur pothuajse një të tretën e forcave të tij të armatosura përgjatë gjithë kufirit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Belta.

Numri i saktë i trupave nuk u specifikua, por ushtria profesionale e Bjellorusisë përbëhet nga 48,000 ushtarë dhe rreth 12,000 roje kufitare, sipas Bilancit Ushtarak të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike për vitin 2022.

Ukraina ka më shumë se 120,000 trupa në kufirin e saj me Bjellorusinë.

“Duke parë politikën e tyre agresive, ne kemi pozicionuar ushtrinë tonë në vende të caktuara përgjatë gjithë kufirit”, tha Lukashenko në një intervistë me TV shtetëror rus.

Kievi nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të Reuters për koment.

Dje, Kievi tha se nuk kishte parë shenja të rritjes së trupave bjelloruse në kufi.

Ministri i Mbrojtjes së Bjellorusisë, Viktor Krenin tha të premten se ekzistonte një mundësi e madhe e një provokimi të armatosur nga Ukraina dhe se situata në kufirin e tyre të përbashkët “mbetet e tensionuar”.

Lukashenko tha se kufiri bjelloruso-ukrainas ishte i minuar “si kurrë më parë” dhe se trupat ukrainase do të pësonin viktima të mëdha nëse do të përpiqeshin ta kalonin atë./vizionplus.tv