Ballina Bota Putin: Moska dëshiron të vazhdojë transportin e gazit në Evropë përmes Ukrainës

Putin: Moska dëshiron të vazhdojë transportin e gazit në Evropë përmes Ukrainës

Presidenti Vladimir Putin tha sot se Rusia synon të vazhdojë dërgimin e gazit përmes Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke shtuar megjithatë se Moska nuk mund ta detyrojë Kievin të respektojë marrëveshjen e tranzitit që skadon në fund të këtij viti.

“Sa i përket Ukrainës, ne nuk po e braktisim këtë tranzit, çuditërisht. Pse? Sepse ne dhe Gazprom synojmë të përmbushim të gjitha detyrimet tona ndaj konsumatorëve, me të cilët kemi kontrata afatgjata”, tha Putin.

“Ka një kontratë tranziti që skadon më 31 dhjetor të këtij viti. Por nëse Ukraina e refuzon këtë tranzit, ne nuk mund ta detyrojmë atë”, tha Putin.

Putin tha se klientët kryesorë të Gazprom në Evropë nuk duket se duan që marrëveshja e tranzitit të përfundojë edhe pse ata i japin ndihmë ushtarake Ukrainës.

Tubacioni Urengoi-Pomari-Ulzhorod i ndërtuar nga sovjetikët transporton gaz nga Siberia perëndimore nëpërmjet Sunjas në rajonin e Kurskut të Rusisë. Gazi më pas transportohet nëpërmjet Ukrainës në Sllovaki.

Në Sllovaki, tubacioni i gazit ndahet, njëra prej degëve shkon në Republikën Çeke dhe tjetra në Austri. Blerësit kryesorë të gazit janë Hungaria, Sllovakia dhe Austria.

Nëse Ukraina refuzon kalimin e gazit rus, atëherë Rusia do të përdorë tubacionin e gazit Rrjedha Turke nën Detin e Zi për të furnizuar Evropën.

“Ukraina refuzon kalimin tonë, që do të thotë se vëllimet e gazit që hyn në Evropë do të ulen,” tha Putin. “Do të pasojnë rrugë të tjera, veçanërisht përmes Rrjedhës Turke, ndoshta pjesërisht përmes Rrjedhës Blu edhe në Turqi. Por kjo është zgjedhja e tyre, si do të ndikojë tek ata, nuk e di plotësisht”.

Për më tepër, duke iu referuar mundësisë së bisedimeve me Ukrainën për t’i dhënë fund luftës, Putin, edhe pse Kremlini thotë se kushtet për bisedimet e paqes nuk janë përmbushur për momentin, emëroi Kinën, Indinë dhe Brazilin si ndërmjetës të mundshëm./vizionplus.tv