Ministri libanez i Shëndetësisë Firass Abiad i tha Al Jazeera: “Rreth 2,750 njerëz u plagosën, … më shumë se 200 prej tyre në gjendje kritike” me lëndime të raportuara kryesisht në fytyrë, duar dhe stomak.
Të paktën 15 persona kanë mbetur të vdekur, ndërsa rreth 3 mijë të tjerë janë plagosur në Liban. ky bilanc i rëndë erdhi si pasojë e shpërthimit të pajisjeve të komunikimit, të përdorura nga grupi Hesbollah.
Shpërthimet ndodhën në Bejrutin jugor dhe në disa zona të tjera të vendit.
Hesbollahu, akuzoi menjëherë Izraelin për sulmin.
“Ky armik tradhtar dhe kriminel do të marrë pa diskutim dënimin e merituar për këtë sulm mëkatar, e pret ose jo”, thuhet në reagim.
Sipas mediave të huaja bëhet fjalë për një sulm kibernetik të koordinuar, që kishte objektiv pajisjet e vogla komunikuese, por edhe telefonat celularë.
Ky sulm i kësaj natyre dhe shkalle shënon një goditje të fortë për sigurine e Hesbollah. /Vizionplus.tv/
Pejxherët që shpërthyen në Liban dhe Siri janë të prodhuar në Hungari
Kompania tajvaneze Gold Apollo ka thënë se ka autorizuar përdorimin e markës së saj në pejxherët që shpërthyen në Liban dhe në Siri, por se ato janë prodhuar nga një kompani tjetër, me bazë në Budapest. Pejxherët ishin prodhuar nga BAC Consulting KFT, me bazë në kryeqendrën e Hungarisë, sipas një komunikate të lëshuar nga Gold Apollo. Kreu i saj u tha gazetarëve se kompania e tij ka pasur marrëveshje licencimi me BAC për tre vjetët e kaluar, por nuk ka ofruar dëshmi të kontratës.
“Kompania BAC ka bashkëpunuar me ne dhe përfaqëson shumë nga produktet tona për rreth tre vjet. Ata gjithashtu donin të bënin pejxherë dhe pyetën nëse mund të përdornin emrin e markës së kompanisë sonë. Çdo pejxher na paguan tarifën e emrit të markës dhe ata projektuan vetë”. Jam 100% i sigurt se pejxherët që shpërthyen nuk janë prodhimi i ynë”, deklaroi Hsu Ching Kuang, Gold Apollo.
Pejxherët, pajisje të telekomunikimit me valë, të përdorur nga grupi militant Hezbollah, shpërthyen pothuajse në të njëjtën kohë një natë më parë në Liban dhe në Siri, duke vrarë të paktën nëntë persona, përfshirë një vajzë 8 vjeçe, dhe duke plagosur rreth 3.000 njerëz. Teksa njerëzit po blinin në dyqane, po rrinin në kafene apo po ngisnin automjetet e tyre, pejxherët në duart apo në xhepat e tyre filluan të nxehen dhe pastaj shpërthyen, duke shkaktuar skena të përgjakshme dhe duke nxitur panik mes kalimtarëve. Hezbollahu dhe qeveria libaneze kanë fajësuar Izraelin për atë që u duk të ketë qenë një sulm i sofistikuar nga largësia. Shumë prej viktimave u tha se janë pjesëtarë të Hezbollahut, por nuk u bë e qartë nëse pejxherët që shpërthyen ishin edhe në duar të joanëtarëve. Ndërkohë zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se nuk ka përfshirje të SHBA-së në shpërthimet e pejxherëve në Liban dhe Siri.
“Nuk kam asnjë detaj për të dhënë mbi raportet e shpërthimit të pejxherëve. Mund t’ju them se SHBA-ja nuk është fare e përfshirë në këtë. Është diçka që ne po monitorojmë”, tha Pat Ryder, sekretar i shtypit i Pentagonit.
Shpërthimet ndodhën kryesisht në zonat ku grupi ka prani të madhe, veçanërisht në një periferi jugore të Bejrutit dhe në rajonin Beka në lindje të Libanit, si dhe në Damask. Hezbollahu, i cili akuzon Izraelin si përgjegjës për shpërthimet tha sot përmes një komunikate, se do të vazhdojë kryerjen e sulmeve të zakonshme ndaj Izraelit “sikurse në ditët e fundit”, si pjesë e atij që e ka përshkruar si front mbështetës për aleatin e tij, Hamasin dhe për palestinezët në Gazë. Hezbollahu nisi lëshimin e raketave drejt Izraelit më 8 tetor, një ditë pasi një sulm vdekjeprurës i udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor nxiti një kundërofensivë masive izraelite dhe luftën e vazhdueshme në Gazë. Që atëherë, Hezbollahu dhe forcat izraelite kanë shkëmbyer sulme pothuajse çdo ditë, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e qindra personave në Liban dhe të dhjetëra të tjerëve në Izrael, si dhe kanë çuar në zhvendosjen e dhjetëra mijëra njerëz në të dyja anët e kufirit. /Alsat.mk