Protesta e opozitës, në të cilën ishte paralajmëruar mosbindje civile tentoi t’i vërë flakën selisë së Partisë Socialiste, të cilën protestuesit e Partisë Demokratike e sulmuan me molotovë dhe fishekzjarrë gjatë marshimit, që u thirr këtë të hënë me kërkesë kryesore qeverinë teknike.
Protesta nisi me grumbullimin e mbështetësve të thirrur nga e gjithë Shqipëria, fillimisht përballë kryeministrisë. Që në nisje të saj u tentua të ketë një përplasje me qindra forcat policore që ishin vendosur aty në pritje të qytetarëve të opozitës.
Drejt zyrës së Edi Ramës janë hedhur molotovë, ndërsa nuk munguan përleshjet me policinë.
Siç shihet nga pamjet më lart, ishin pikërisht deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi që u përballën të parët me policët duke i hapur rrugën përleshjeve që pasuan. Ndërkohë dhjetëra protestues qëlluan policët me shkopa dhe pankarta.
Por kryeministria ka qenë e blinduar nga qindra forca policie, të pajisur me skafandra dhe mburojat përkatëse, ndërkohë që një pjesë e efektivëve më të specializuar ishin vendosur në tarracat e godinave përreth.
Protesta tek kryeministria nuk ka zgjatuar shumë. Pasi ndaluan aty për disa minuta grupi i deputetëve që udhëheqin protestuesit kanë lëvizur në bulevard drejt qendrës.
Në heshtje, pa mbajtur asnjë fjalim apo pa asnjë thirrje për protestuesit, drejtuesit e protestës kanë nisur një marshim nga kryeministria në drejtim të qendrës. Kur kanë mbërritur tek unaza, janë kthyer drejt Shallvareve, në rrugën përballë kompleksit Tajvan.
Me marshimin e mijëra qytetarëve në qendër të Tiranës, qarkullimi i makinave është bllokuar tërësisht. Edhe aksi i unazës që zakonisht lihet i lirë në rastet e protestave është bllokuar, ndërkohë që protestuesit kanë ndezur në flakë kazanët e mbeturinave apo stacionet e autobuzëve.
Marshimin drejt qendrës, protestuesit e kanë ndalur tek selia e Partisë Socialiste. Kjo nuk është hera e parë që protesta e opozitës kalon në selinë e Partisë Socialiste por për herë të parë demokratët janë ndalur duke sulmuar me molotov selinë e kundërshtarëve të tyre politikë.
Kjo lëvizje e protestuesve duhet thënë se e ka kapur në befasi policinë, që kishte vendosur një numër të madh policësh në bashkinë e Tiranës. Kur demokratët kanë mbërritur në selinë e PS aty kanë gjetur vetëm pak policë. Menjëherë kanë nisur të hedhin kapsolla dhe molotovë, duke i vënë flakën banerit që ishte në selinë e PS, me fotografinë e Edi Ramës. (fotot më poshtë)
Flakët në selinë e PS janë shuar me ndërhyrjen e zjarrfikësve, ndërsa dhjetëra forca policie janë zhvendosur me shpejtësi për të mbrojtur godinën. Përgjatë kohës që protestuesit hodhën molotovë, deputetët e opozitës kanë qëndruar aty pranë.
Hedhja e molotovëve drejt selisë së PS dhe përpjekja për t’i vënë flakën godinës duket se ishte edhe momenti kulmor i protestës, si një akt që kishte ndodhur në Shkodër në 2020, por jo në Tiranë, ku dy partitë kryesore i kanë mbajtur larg militantët nga sulmet direkte të selive dhe përplasjeve në rrugë.
Fill pas sulmit në selinë e PS-së, protesta e opozitës është zhvendosur drejt bashkisë së Tiranës, ku qindra policë ishin në pritje të përballjes me opozitarët.
Pas hedhjes së disa molotovëve tek Bashkia e Tiranës, policia ka reaguar menjëherë. Nga pas radhëve të policisë janë hedhur gaz lotsjellës në sasi të konsiderueshme, ndërsa protestuesit janë përgjigjur me kapsolla apo fishekzjarre.
Ndryshe nga protestat e kaluara, lëvizja e protestuesve nuk ka pasur goditjen e një institucioni të veçantë. Turma e irrituar e njerëzve ka lëvizur në qendër të kryeqytetit duke e bërë të pamundur qarkullimin normal të makinave apo lëvizjen e çlirët të qytetarëve.
Irritimit të protestuesve që kanë hedhur kapsolla dhe molotovë i është përgjigjur menjëherë policia që nuk e ka kursyer gazin lotsjellës, pavarësisht lëvizjes së shumë qytetarëve në qendër të kryeqyetit. Protestuesit kanë hedhur molotovë edhe tek ministria e brendshme, edhe tek një nga kullat e ngritur me kate të paligjshme në qendër dhe në fund janë ndalur tek parlamenti.