Ballina Bota Ushtarët e Koresë së Veriut në Rusi? Putin: Nëse Ukraina dëshiron të...

Ushtarët e Koresë së Veriut në Rusi? Putin: Nëse Ukraina dëshiron të anëtarësohet në NATO, Moska do të garantojë sigurinë e saj

Është detyra e Rusisë të vendosë nëse do të përdorë apo jo trupat e Koresë së Veriut, tha Vladimir Putin, duke folur në televizionin shtetëror rus.

Ai shtoi se nëse Ukraina dëshiron të anëtarësohet në NATO  atëherë Moska do të bëjë gjithçka që duhet për të garantuar sigurinë e saj.

Shtetet e Bashkuara thanë të mërkurën se kanë parë prova se Koreja e Veriut ka dërguar 3,000 trupa në Rusi për dislokim të mundshëm në Ukrainë, një lëvizje që Perëndimi e sheh si një përshkallëzim të madh në luftën në Ukrainë.

“Kur duhet të vendosim diçka, ne do të vendosim… por është vendimi ynë sovran nëse do ta zbatojmë nëse na nevojitet ”, tha Putin në një intervistë në televizionin shtetëror.

Putin shtoi se Perëndimi i ka thënë vazhdimisht Ukrainës të vendosë se si do të garantojë sigurinë e saj “me ose pa NATO”.

“Sa më shpejt të kuptojnë kotësinë e një qasjeje të tillë në marrëdhëniet me Rusinë, aq më mirë do të jetë për të gjithë, dhe ndoshta, mbi të gjitha, për veten e tyre”, tha Putin.

Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un nënshkruan një marrëveshje gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik gjatë vizitës së Putinit në Phenian në qershor.

Në nenin 4 të marrëveshjes thuhet: “Nëse njëra nga palët sulmohet nga ndonjë shtet ose disa shtete dhe në këtë mënyrë gjendet në gjendje lufte, pala tjetër duhet të sigurojë menjëherë mbështetje ushtarake me të gjitha mjetet që ka në dispozicion”.

Putin të enjten nuk i mohoi pretendimet e SHBA-së se Koreja e Veriut ka dërguar trupa në Rusi, por tha se i takon Moskës se si e menaxhon klauzolën e ndihmës së ndërsjellë ushtarake me Phenianin dhe akuzoi Perëndimin për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë./vizionplus.tv