Të paktën 95 persona humbën jetën për shkak të përmbytjeve në Spanjën lindore të martën.
92 vdekje u regjistruan vetëm në Valencia, i cili është rajoni më i goditur. Dy vdekje u raportuan në Castilla-La Mancha fqinje dhe një në Andaluzi.
Këto janë përmbytjet më vdekjeprurëse që kanë goditur vendin iberik në pothuajse tre dekada, duke shkaktuar kaos në disa komunitete.
Qeveria spanjolle ka shpallur tre ditë zie kombëtare nga e enjtja deri të shtunën.
@tetovanews
Sipas vlerësimeve të qeverisë, rreth 140,000 njerëz janë pa energji elektrike.
Rreth 132 mijë prej tyre ndodhen në Valencia, e cila ka pësuar goditjen më të madhe deri më tani.
Rreth 500 njerëz po punojnë në Valencia dhe Alicante për të rivendosur shërbimet, ndërsa burimet janë mobilizuar nga zona të tjera gjeografike për të përshpejtuar punën.
Në të njëjtën kohë po bëhen përpjekje për gjeneratorët, si zgjidhje e përkohshme.
Ekipet e shpëtimit po operojnë vazhdimisht në zonë, duke u përpjekur të shpëtojnë njerëz dhe kafshë.
Dëshmitë e njerëzve që jetuan fatkeqësinë janë tronditëse.
“Kur uji filloi të ngrihej, erdhi si një valë,” tha Guillermo Perez.
“Ishte si një cunami”, tha një 21-vjeçar nga Paiporta, pranë Valencias.
Ai ishte duke lëvizur në autostradë me prindërit e tij mbrëmjen e së martës kur gjithçka ishte përmbytur.
Ata mbijetuan duke u ngjitur në një urë dhe duke braktisur makinën e tyre. “Presioni ishte i madh. Arrita të dal nga makina dhe uji më shtyu pas një gardh të cilin arrita ta kapja por nuk munda të lëvizja. Ai nuk më lejonte. Më grisi rrobat”, tha një tjetër.
kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez bëri thirrje për unitet, solidaritet dhe vigjilencë.
Ai paralajmëroi qytetarët “episodi katastrofik nuk ka mbaruar ende.”
“Ka ende paralajmërime për mot të keq në Andaluzi, Valencia, Aragon, Castile dhe Leon, Katalonjë, Extremadura, Navarra, La Rioja dhe Ceuta. Prandaj kërkoj nga qytetarët e këtyre zonave që të kenë kujdes të shtuar, të shmangin udhëtimet pranë grykave, brigjeve dhe shtretërve të lumenjve dhe të marrin parasysh këshillat e shërbimeve të urgjencës dhe policisë. Askush nuk duhet të vërë jetën në rrezik”, theksoi ai.
Kryeministri spanjoll shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe të zhdukurve.
“Ne do t’ju ndihmojmë në të gjitha mënyrat që ka shteti. Dhe nëse është e nevojshme, nga Bashkimi Evropian”, tha ai./vizionplus.tv
Spanja përballet me tragjedinë më të madhe të përmbytjeve, gabimi fatal i autoriteve që çoi në vdekjen e gati 100 personave
Spanja po përballet me një tragjedi të vërtetë, pas përmbytjeve që goditën vendin dhe lanë shumë viktima pas.
Numri i të vdekurve prej 95 personash pritet të rritet, duke iu afruar fatkeqësisë më të keqe të përmbytjeve që ka parë Spanja – përmbytjet e Pirenejve të vitit 1996 që vranë 87 njerëz. Dhe në Spanjë, loja e fajësimit ka filluar për një fatkeqësi që mund të kishte qenë më e vogël nëse do të ishte menaxhuar ndryshe. Në qendër është guvernatori i Valencias, Carlos Mazón, si personi kryesor përgjegjës për mungesën e ndonjë mekanizmi parandalues apo shpëtimi.
Zemërimi drejtohet kundër pushtetit lokal të Valencias. Kjo pasi pushteti vendor ka autoritetin, por edhe përgjegjësinë përfundimtare për të koordinuar shërbimet e urgjencës në zonat e prekura. Megjithatë, në vend që ta bënte këtë, ai dërgoi një mesazh përmes sistemit 112 të Spanjës në orën 20:12, tetë orë pas fillimit të përmbytjeve dhe 10 orë pasi agjencia kombëtare meteorologjike e Spanjës, AEMET, lëshoi një paralajmërim “rrezik ekstrem”.
“Përmasat e tragjedisë ngre dyshime nëse popullsia ishte paralajmëruar shumë vonë: Mbrojtja Civile dërgoi alarme kur tashmë kishte qytete të përmbytura”, ishte një titull në faqen e internetit të gazetës El Mundo. Siç vazhdon gazeta, “qindra njerëz u bllokuan gjatë natës nga e marta në të mërkurë në zonat industriale dhe në rrugë, sepse rrugët ishin bllokuar tashmë dhe aksesi ishte ndërprerë”.
Jo se AEMET mbetet imun. Spanjollët në mediat sociale thonë se parashikuesit e nënvlerësuan fenomenin pasi nuk prisnin që ai të arrinte këtë masë dhe nuk e lanë publikun të kuptonte se ishin në rrezik ekstrem.
Në çdo rast, kur mbërriti mesazhi 112, shumë ishin të bllokuar në shtëpi, biznese dhe në rrugë, ndoshta shumë ishin tashmë të vdekur. Çështja ka shqetësuar edhe qeverinë qendrore me një zyrtar të Ministrisë së Tranzicionit Ekologjik që deklaruar se “në kohën kur autoritetet e Valencias vepruan, situata tashmë ishte përshkallëzuar ndjeshëm. Janë qeveritë rajonale në Spanjë ato që operojnë sistemet e paralajmërimit dhe kanë fuqinë për të dërguar sinjalizime në telefonat celularë të qytetarëve për të kufizuar lëvizshmërinë kur është e nevojshme… Pse kjo vonesë e konsiderueshme në dërgimin e mesazheve alarmuese në telefonat celularë, të cilat këshillojnë të mos udhëtoni ose të shkoni në vendet e punës, nuk e dimë?
Por kjo nuk ishte e gjitha. Viktimat që kishin mbijetuar dhe po ngrinin nga i ftohti në çatitë e shtëpive ku ishin ngjitur, nuk kishin asnjë mënyrë për të komunikuar me ekipet e shpëtimit – ose me njerëzit e tyre. Rrjetet e telefonisë fikse dhe celulare u ndërprenë shumë herët në mesditën e së martës dhe të gjitha thirrjet e urgjencës u drejtuan në 112, i cili gjithashtu u ndërpre disa orë më vonë. Kështu banorët që kishin nevojë për ndihmë e kuptuan shpejt se ishin vetëm. Ekipet e shpëtimit mungonin. Ekipet e shpëtimit nuk dinin se ku të shkonin dhe nuk kishin asnjë mënyrë për të shkuar në zonat e përmbytura. Në disa raste atyre iu desh të shpëtonin objektet e tyre nga përmbytja, ose të prisnin lajme për kolegët e tyre që u prekën nga përmbytjet.
El Pais shkruan se Mazon shpjegoi se përpjekjet e shpëtimit u penguan nga pamundësia absolute për të arritur tek ata në nevojë.
“Zjarrfikësit dhe policia lokale u rrethuan nga anëtarë të njësisë së emergjencës ushtarake (UME). Edhe forcat e sigurisë u përballën me sfida – kazerma e Gardës Civile në Paiporta e kaloi natën me ankth duke pritur lajmet për dy prej anëtarëve të saj të zhdukur”, tha ai.
Presidenti i qeverisë së Valencias, Carlos Mazon, është ai mbi të cilin janë drejtuar të gjithë gishtat e atyre që kërkojnë përgjegjësinë për fatkeqësinë vdekjeprurëse që futi në zi Spanjën. Konservatori Mazon akuzohet nga kundërshtarët e tij politikë, mediat dhe qytetarët në rrjetet sociale se “puna” e parë që bëri kur u zgjodh, vitin e kaluar, ishte shfuqizimi i UVE. Kjo është njësia e urgjencës së Valencias, e cila u krijua nga qeveria e mëparshme vendore për t’iu përgjigjur fatkeqësive klimatike si përmbytjet dhe zjarret. /vizionplus.tv