Ballina Bota Tragjedi në Novi Sad të Vojvodinës, shembet çatia në një stacion hekurudhor,...

Tragjedi në Novi Sad të Vojvodinës, shembet çatia në një stacion hekurudhor, 13 viktima! Ka persona ende nën rrënoja

Nënkryetari i Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme  Ivica Daçiq deklaroi se  13 persona kanë humbur jetën në tragjedinë në stacionin hekurudhor në Novi Sad . 

Serbi – Thellohet tragjedia në Novi Sad pas shembjes së çatisë në një stacion hekurudhor. Më herët ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç tha se 8 persona kishin humbur jetën, ndërsa disa të tjerë ishin bllokuar nën rrënoja. Fatkeqësisht, nga rrënojat janë nxjerrë trupat e pajetë të 5 personave, duke e çuar në 13 numrin e të vdekurve.

“E dinim se kishte edhe pesë persona të tjerë nën rrënoja, për të cilët nuk e dinim nëse ishin gjallë apo të vdekur”, u tha Daçiç gazetarëve.

Njerëzit ishin ulur në stola në pjesën e jashtë të stacionit hekurudhor në Novi Sad, kur u shemb çatia. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 të paradites së sotme, sipas mediave serbe.

Në kërkim u përfshinë rreth 80 ekipe shpëtimi nga i gjithë vendi, duke përdorur makineri të rënda.

Ndërtesa e stacionit hekurudhor u rinovua në vitin 2021 dhe u rinovua sërish këtë vit.

Kryeministri Millosh Vuçeviç tha se do të mbajnë përgjegjësi të gjithë personat, të cilët duhet të merreshin me mirëmbajtjen e ndërtesës, e cila u ndërtua në vitin 1964.

Vuçeviç tha se e premtja ishte një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës të Novi Sadit.

“Kjo është një tragjedi e madhe, e tmerrshme për Novi Sadin dhe për të gjithë Serbinë,” shtoi ai, duke dërguar ngushëllime për familjet e viktimave.

Qeveria e shpalli të shtunën ditë zie./vizionplus.tv