Ballina Bota Tragjedia me përmbytjet në Spanjë, shkon në 214 numri i viktimave

Tragjedia me përmbytjet në Spanjë, shkon në 214 numri i viktimave

Numri i viktimave nga përmbytjet në Valencia të Spanjës dhe qytetet rreth saj ka shkuar në 214, ndërkohë raportohet për 1900 të zhdukur. Autoritetet spanjolle sqarojnë se 210 viktima janë shënuar në Valencia, 2 në Castilla La Mancha dhe 1 në Andaluzi.

Nga ana tjetër, 3633 ushtarë shtesë kanë zbarkuar në zonat e përmbytura, masë e cila u paralajmërua dje nga kryeministri Pedro Sanchez. Sanchez iu drejtua kombit duke pranuar se qeveria dhe shteti mbajnë përgjegjësi për reagimin jo të duhur ndaj situatës, ndërsa tregoi se 10 mijë forca shtesë (ushtarë dhe policsë) do të dislokohen në zonat e përmbytura.

Kjo është katastrofa më e rëndë që ka goditur Evropën që nga përmbytjet e vitit 1967, kur të paktën 500 persona humbën jetën në Portugali. Shpresat për gjetjen e të mbijetuarve u rritën kur grupet e shpëtimin gjetën një grua, gjallë, pas tre ditësh bllokuar në një park makinash në Montcada të Valencias. Banorët shpërthyen në duartrokitje kur shefi i mbrojtjes civile Martin Perez njoftoi lajmin.

Shkencëtarët thonë se fenomenet ekstreme të motit po bëhen më të shpeshta në Evropë dhe gjetkë, për shkak të ndryshimeve klimatike. Meteorologët mendojnë se ngrohja e Mesdheut, luan një rol kyç duke i bërë shirat më të rrëmbyeshëm.