Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, të premten ka biseduar në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin.
Në telefonatën e rrallë midis dy liderëve, Scholz besohet se i ka kërkuar Putinit që të nisë bisedimet me Ukrainën që do të hapnin rrugën për “paqen e drejtë dhe të qëndrueshme”.
Scholz ka folur me Putinin për një orë dhe gjithashtu i ka kërkuar që t’i tërheq trupat nga Ukraina, teksa ia ka bërë me dije se Gjermania do të vazhdojë ta përkrah Ukrainën.
Thirrja ka ndodhur në kohën kur Ukraina po përballet me kushte të vështira në fushëbetejë për shkak të mungesës së armatimit dhe personelit. Në anën tjetër, Rusia po bën avancime të theksuara.
“Kancelari i ka kërkuar Rusisë të tregojnë vullnet për të hyrë në bisedime me Ukrainën, me qëllim që të arrihet paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”, ka thënë zëdhënësi në një deklaratë. “Ai ka theksuar vendosmërinë e pathyeshme të Gjermanisë për të përkrahur Ukrainën në mbrojtjen e vet kundër agresionit rus për aq sa të jetë e nevojshme”.
Scholz ka folur me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, para thirrjes me Putinin dhe do ta njoftojë liderin ukrainas më vonë me detajet, ka thënë zëdhënësi.
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermania është mbështetësja më e madhe financiarisht dhe me furnizime ushtarake e Ukrainës. Por përkrahja amerikane për Kievin tash është në pikëpyetje për shkak të fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Trumpi në vazhdimësi ka kritikuar shkallën e financimit perëndimor dhe ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe ka sugjeruar se do t’i japë fund të shpejt luftës, pa dhënë shpjegime se si e planifikon këtë.
Scholzi dhe Putini herën e fundit patën folur në dhjetor të 2022-s, 10 muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë me Ukrainën duke prishur raportet me Perëndimin e duke i kthyer në fazën më të rëndë që nga Lufta e Ftohtë.
Scholz, kancelari më jopopullor gjerman, po përgatitet për zgjedhje kombëtare më 23 shkurt, në të cilat socialdemokratët do të përballen me partitë e krahut të majtë dhe të djathtë që janë kritike për mbështetjen gjermane për Ukrainën.