Teoritë konspirative duket se nuk zënë vend sot vetëm tek që përgjithësisht janë më djathtas me bindjet politike. Pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara po përhapet në rrjetet sociale një teori se Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, pronar i Tesla dhe SpaceX, sponsori i Donald Trump ka hakeruar rezultatet me anë të rrjetit të tij satelitor Starlink. Vetë Harris dhe Biden nuk kanë shprehur asnjë deri tani asnjë pakënaqësi për procesin në vetvete.
Në mbështetje të këtyre tezave, një video e postuar nga Joe Rogan, podkasteri më i ndjekur në botë, i cili pak ditë para votimit intervistoi dhe mbështeti Trumpin, si dhe priti Elon Musk, po bën bujë në internet pasi ai shpjegon se miliarderi ishte në dijeni të rezultatit “4 orë para shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve”. Megjithatë teoritë rreth mundësisë së Starlink për të manipuluar zgjedhjet në favor të Trump, ka shumë të ngjarë të bazohen në asgjë.
Makinat e votimit në përgjithësi nuk janë të lidhura me internet. Përjashtime bëjnë vetëm disa shtete, të cilat lejojnë skanerët të transmetojnë rezultate jozyrtare nëpërmjet një rrjeti celular. Por gjithsesi kjo ndodh pas përfundimit të zgjedhjeve dhe jo 4 orë më parë.
Për më tepër, edhe kur një lidhje me internetin është e nevojshme, zyrtarët zgjedhorë marrin masa shtesë sigurie për të shoshitur çdo dobësi dhe kërcënim. Me pak fjalë, sistemet zgjedhore amerikane nuk janë aq të brishta sa pretendojnë teoricienët në rrjetet sociale.
Chip Trowbridge, shefi i teknologjisë i Clear Ballot, prodhues i sistemeve të votimit të miratuara nga Komisioni Federal i Asistencës Zgjedhore, theksoi në një intervistë me ABC News muajin e kaluar se “këto sisteme nuk mund të kenë lidhje me internet”. As lidhje wifi, as Bluetooth apo radio. “Nëse shikoni makinat e votimit qartë, i vetmi tel që del është një kabllo elektrike”.
Kjo nuk është hera e parë që makinat e votimit përfundojnë në qendër të teorive konspirative. Ishte vetë Elon Musk ai që ushqeu këtë lloj falsiteti tetorin e kaluar në mitingun historik së bashku me Trump: “Gjëja e fundit që do të bëja është t’i besoja një programi kompjuterik sepse është shumë e lehtë për t’u hakeruar” – tha ai.
Pas zgjedhjeve të fituara nga Biden në vitin 2020, Trump nuk e pranoi kurrë rezultatin e votimit dhe nxiti mbështetësit e tij kundër asaj që e quajti një “mashtrim i demokratëve”. Akuzat i hapën rrugë sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021, faqja më e errët në historinë demokratike amerikane. Megjithatë, ndryshe nga 4 vjet më parë, as Kamala Harris dhe as Joe Biden nuk po nxisin komplote pas humbjes së tyre në zgjedhje.
Në vitin 2020, makinat elektorale ishin në qendër të lajmeve të rreme që i konsideronin “mjete të manipuluara për të hequr Trump nga Shtëpia e Bardhë”. Hetimet nuk gjetën prova për manipulime apo makineri të votimit të manipuluara duke konfirmuar saktësinë e rezultateve të zgjedhjeve në të gjitha vendet.
Këto teori detyruan Fox News që në vitin 2023 të paguante 787 milionë dollarë për Dominion Voting Systems, një nga kompanitë kryesore që ofron shërbime elektorale, për të zgjidhur një padi për shpifje dhe për të shmangur gjyqin. Nëse fitorja e Trump zbuti frikën e trazirave pas asaj që ndodhi në Capitol Hill, lajmet e rreme ishin megjithatë një kapitull i rëndësishëm në fushatën e fundit elektorale.
Vetë Trump akuzoi se votat e dërguara me postë po manipuloheshin në disa shtete të lëkundura. Musk madje akuzoi edhe google se po ndihmonte Harris duke bërë që kompania të reagojë dhe të mohojë pretendimet. ©Përgatiti LAPSI.al