Ballina Bota “Trupat e Koresë së Veriut në Ukrainë përshkallëzim i rëndë i konfliktit”,...

“Trupat e Koresë së Veriut në Ukrainë përshkallëzim i rëndë i konfliktit”, zbardhet telefonata Scholz-Putin, kancelari dënon sulmet në infrastrukturën civile

Kancelari gjerman Olaf Scholz i tha presidentit rus Vladimir Putin të premten se vendosja e trupave të Koresë së Veriut nga Rusia kundër Ukrainës ishte një “përshkallëzim i rëndë” i konfliktit, sipas burimeve qeveritare.

Në telefonatën e parë mes liderëve në gati dy vjet, Scholz i bëri thirrje Putinit që t’i jepte fund luftës dhe të tërhiqte trupat ruse nga Ukraina.

Kremlini e përshkroi bisedën si “një shkëmbim të detajuar dhe të sinqertë të opinioneve mbi situatën në Ukrainë”, duke shtuar se “vetë fakti i dialogut është pozitiv”.

Sipas burimeve qeveritare, kancelari dënoi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe i bëri thirrje Moskës që të negociojë me Kievin për të arritur një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, raporton BBC.

Ai gjithashtu theksoi “vendosmërinë e palëkundur të Gjermanisë për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Scholz dënoi në veçanti sulmet ajrore ruse në infrastrukturën civile.

Biseda telefonike zgjati rreth një orë dhe të dy liderët ranë dakord të qëndronin në kontakt. Mediat ruse raportojnë se sipas Kremlinit, thirrja është iniciuar nga Gjermania.

Në një deklaratë me shkrim, zyra e kancelarit theksoi se Scholz ka biseduar edhe me Zelenskyn para thirrjes me Putinin.

Në një deklaratë nga Kremlini për mediat ruse, Putin thuhet se i tha Scholz-it se marrëdhëniet ruso-gjermane kishin pësuar “një degradim të paprecedentë, si rezultat i kursit jomiqësor” të autoriteteve gjermane.

Sipas Kremlinit, Putin i tha Scholz-it se çdo marrëveshje e mundshme e paqes duhet “të bazohet në realitetet e reja territoriale”.

Kremlini e justifikon pushtimin e Ukrainës me akuzën për “zgjerim” të NATO-s në Evropën Lindore.

Në telefonatë, Putin tha se “kriza aktuale ishte një rezultat i drejtpërdrejtë i politikës agresive shumëvjeçare të NATO-s që synonte krijimin në territorin ukrainas të një ure anti-ruse”.

Në një intervistë në televizionin gjerman të dielën e kaluar, Scholz tha se po planifikonte të fliste me Putinin për të nxitur bisedimet e paqes. Ai tha se nuk po vepronte vetë, por në konsultim me të tjerët./vizionplus.tv