Ballina Bota Dezertori rrëfen sekretet e bazës bërthamore ruse

Dezertori rrëfen sekretet e bazës bërthamore ruse

Në ditën kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë, në shkurt të vitit 2022, Anton – një ish-oficer i forcave bërthamore ruse – deklaron se baza ku ai shërbente u vu në gatishmëri të plotë luftarake.

“Ishte hera e parë që armët ishin të përgatitura plotësisht për përdorim,” tha ai. “Në teori, ishim gati të kryenim një sulm bërthamor.” Anton, i cili tani jeton jashtë Rusisë, foli për BBC-në në kushte anonimiteti për shkak të rreziqeve që përballet.

Tri ditë pas fillimit të luftës, Vladimir Putin njoftoi vendosjen e forcave bërthamore në një “regjim të veçantë shërbimi luftarak”. Sipas Antonit, kjo gatishmëri kishte filluar që ditën e parë të pushtimit dhe vazhdoi për rreth dy deri në tre javë.

Ai përshkruan disiplinën e rreptë në bazën sekrete, ku çdo kontakt i jashtëm ishte i kontrolluar nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB). “Ishte përgjegjësia ime të sigurohesha që asnjë ushtar të mos kishte telefona me vete në bazë”, tregon Antoni.

Ai gjithashtu shpjegon rregullsinë e stërvitjeve dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të armëve bërthamore. Ai përjashton teoritë që arsenalet ruse janë të vjetruara, duke pohuar se ato janë funksionale dhe gati për përdorim.

Për Antonin, momenti vendimtar erdhi kur iu urdhërua të mbante leksione propagande, ku ushtarët duhej të konsideronin civilët ukrainas si objektiva ushtarake. Ai e refuzoi këtë si një “krim lufte” dhe për këtë arsye u transferua në një brigadë sulmuese, ku përballej me mundësinë e dërgimit në vijën e parë të frontit.

Në vend që të merrte pjesë në luftë, Anton u largua nga Rusia me ndihmën e një organizate vullnetare që ndihmon dezertorët. Tani, i fshehur jashtë vendit, ai vazhdon të ndihmojë ushtarët e tjerë të largohen, megjithëse është i vetëdijshëm për rreziqet e mëdha që përballon. “E kuptoj se sa më shumë të ndihmoj, aq më shumë rriten gjasat që të më vrasin”, përfundon ai.