Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Margheras pranë Venecias në Itali gjatë mesnatës, ku një 40-vjeçar shqiptar humbi jetën si pasojë e një sulmi me thikë. Mediet italiane bëjnë me dije se shqiptari u godit me thhikë në një park midis via Paolucci dhe via Rizzardi, pranë stacionit të trenit Mestre.
Vëllai i tij, i cili ishte i pranishëm në momentin e sulmit, mbeti i plagosur dhe po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor në spital. Ngjarja ndodhi pranë stacionit të trenit në Mestre, në një park të vogël mes rrugës “Paolucci” dhe “Rizzardi”.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve mjekësore, 40-vjeçari nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda. Autoritetet italiane, që mbërritën në vendngjarje, arrestuan dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes – të dy me origjinë nga Maqedonia.
Policia italiane po vijon hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe motivet që çuan në vrasjen e shqiptarit. Deri tani, arsyet e konfliktit mbeten të paqarta.