Ballina Top Lajm Kurti e cilëson sulm terrorist shpërthimin në Zubin Potok, paralajmëron mungesë të...

Kurti e cilëson sulm terrorist shpërthimin në Zubin Potok, paralajmëron mungesë të energjisë elektrike dhe ujit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e vonë për media, e ka cilësuar sulm terrorist shpërthimin në kanalin e ujit në Zubin Potok.

Ai ka paralajmëruar se në rast se nuk riparohet dëmi, do të ketë mungesë të energjisë elektrike dhe ujit.

“Sonte ishte akti më i rëndë me mjete shpërthyese u dëmtua kanali kryesor i Ibër-lepencit prej kah furnizohen shumë qytete me ujë dhe KEK-u. Policia është në vendin e ngjarjes. Furnizimi me ujë të pijes është ndërprerë përkohësisht”, ka thënë Kurti në konferencë për media.

“Ky është sulm terrorist dhe kriminal që ka synuar të dëmtojë infrastrukturën tonë kritike dhe padyshim se ishte tentaitvë e rrezikimit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike”, ka shtuar ai.

“Sulmi është kryer nga profesionist, ne besojmë se vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia, e cila e ka interesin për të shkaktuar sulme dhe dëme të tilla, në rastin konkret duke përdorur sasi të madhe eksplozivi”, ka thënë Kurti.

“Në rast se dëmi nuk riparohet, shumë qytete rrezikojnë të mbeten pa energji elektrike. Ky është shpërthimi i tretë të tre ditët e fundit dhe është synuar të nxitet frika dhe pasiguria, së pari te banorët e katër komunave veriore dhe për të përshkallëzuar situatën dhe më pastaj në krejt vendin”, ka shtuar ai.