Ballina Aktualitet SPAK kontroll në shtëpinë e kryebashkiakut të Tiranës/BKH sekuestron telefonin bashkëshortes së...

SPAK kontroll në shtëpinë e kryebashkiakut të Tiranës/BKH sekuestron telefonin bashkëshortes së Veliajt

Agjentët e BKH-së nuk kanë ushtruar kontrolle vetëm në shtëpinë e kryebashkiakut Erion Velia. Edhe në bashkinë e Tiranës kanë shkuar agjentë të BKH-së për kontroll. Por këtu nuk dihet nëse është arritur të bëhet kontrolli, pasi për të kontrolluar zyrën duhet të jetë i pranishëm dhe vetë Veliaj, i cili ndodhet jashtë vendit, në Hamburg, Gjermani.Disa agjentë kanë shkuar edhe në selinë e galerisë ‘Harabel’ që ndodhet në zonën e ish-bllokut në Tiranë, ku kanë ushtruar kontrolle dhe kanë sekuestruar dokumente e materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me hetimet e nisa në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.

Me vendim të Gjykatës se Posaçme, gjatë kontrollit në banesën e Erion Veliajt, agjentët e BKH-së, kanë sekuestruar sot, telefonin e Ajola Xoxës, bashkëshortes se kryetarit te Bashkisë se Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas burimeve të Lapsi.al telefoni i Ajola Xoxës, është sekuestruar në kuadër të hetimit pasuror, nga prokurori Ols Dado.

Po të njëjtat burime sqarojnë se nuk është ushtruar kontroll në banesën e kryebashkiakut të Tiranës.

Kryebashkiaku po hetohet për disa çështje të nxehta si ajo e Inceneratorit të Tiranës apo dosjes “5D”. Në ngarkim të kësaj të fundit ish-drejtorët e bashkisë Tiranë, Taulant Tushe, Redi Molla dhe Mariglen Qato ndodhen në burg. Më herët SPAK ka nisur një hetim pasuror për Veliajn dhe familjarët e tij.

Gazetari holandez Vincent Van Gerven, ka publikuar një artikull investigativ, që tregon implikimin e bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Ajola Xoxa në skema të tilla.

Në shkrimin me titull: ‘Si pastrohen paratë përmes artit dhe konçensioneve të menaxhimit të mbetjeve’, publikuar në ‘The Albanian Mechanism’, gazetari Holandez zbërthen fijet e financimit të Ajola Xoxës nga kompania inceneratorit të Sharrës.

Artikulli tregon se në korrik të vitit 2021 në landfillin e Sharrës platforma e artit kontemporan ‘Harabel’, vendosi për ekspozim një skulpturë të artistit Kosovar Sislej Xhafa, e titulluar ‘Bleta’. Sipas gazetarit, kjo skulpturë supozohej se do të ishte e para nga një seri veprash arti që do të transformonin këtë landfill në një park skulpture të artit bashkëkohor.

Ja si e përshkruan gazetari holandez platformën e Ajola Xoxës

‘Harabel’ është një fondacion jofitimprurës që ‘përqendrohet në promovimin e artit bashkëkohor’ i themeluar në vitin 2018 nga artisti Driant Zeneli dhe ‘promotorja kulturore’ Ajola Xoxa, një juriste e specializuar në ligjin e energjisë, e cila ndodh të jetë edhe bashkëshortja e kryebashkiakut Veliaj. Menjëherë pas themelimit të saj, Harabel filloi një sërë projektesh të profilit të lartë të artit publik, duke shfaqur artistë të njohur ndërkombëtarisht si Anri Sala (gjithashtu në bordin e Harabel), Adrian Paci dhe Xhafa. Me skenën e artit bashkëkohor në Tiranë që po lufton si në aspektin e financimit ashtu edhe në hapësirë, dhe duke pasur parasysh që as Zeneli, asokohe një emigrant, as Xoxa nuk ishin të rrënjosur fort në atë skenë, ngritja meteorike e Harabel ishte e jashtëzakonshme.