Prokuroria Speciale a Hagës ka ngritur sot akuzë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi për veprën penale të pengimit të drejtësisë. Për këtë arsye, ZPS-ja thonë se kanë arrestuar Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun. Gjithashtu ka lëshuar fletëthirrje për paraqitje për ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçin.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ngritur akuza ndaj Hashim THAÇIT për vepra penale të pengimit të drejtësisë, sipas një Aktpadie të konfirmuar.Z. Thaçi ndodhej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës’, thuhet në njoftim.
Specialja ka njoftuar e Thaçi do të paraqitet para një Gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij.
“ZPS-ja ka arrestuar gjithashtu Bashkim SMAKAJN, Isni KILAJN dhe Fadil FAZLIUN në Kosovë sipas një fletë-arrestimi dhe urdhri transferimi të lëshuar nga një Gjykatës i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Zotërinjtë Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës pa vonesa të papërligjura.
Hajredin KUÇIT i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i dha ZPS-së mbështetje operacionale dhe logjistike, dhe Policia e Kosovës dha mbështetje operacionale.
ZPS-ja e merr pengimin e drejtësisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që përfshihen në këtë veprimtari”, thekson njoftimi.