Ballina Bota Kush janë rebelët sirianë që kanë marrë Damaskun?

Kush janë rebelët sirianë që kanë marrë Damaskun?

Forcat rebele që kanë marrë në kontroll Sirinë, udhëhiqen nga një aleancë islamiste e njohur me emrin Hayat Tahrir al-Sham (HTS), së bashku me një grup milicish siriane të quajtura “Ushtria Kombëtare Siriane”, të cilat mbështeten nga Turqia.

Nga nisja e luftës civile, të dy grupet kanë qenë të izoluara në veri-perëndim të Sirisë, por më 27 nëntor, ata nisën një ofensivë të befasishme, duke pushtuar Alepon, qytetin më të madh të Sirisë, dhe Haman, qytetin e katërt më të madh.

Themeluesi i HTS-së, Abu Muhammad al-Jolani, ka qenë pjesëmarrës në kryengritjen irakiane kundër SHBA-së, si anëtar i grupit që më pas do të transformohej në Shtetin Islamik (ISIS).

Hayat Tahrir al-Sham, i njohur fillimisht me emrin Jabhat al-Nusra ose Fronti al-Nusra, shpalli aleancën me Al Kaeda. Megjithatë, në vitin 2016, ajo shpalli publikisht shkëputjen nga kjo aleancë, duke ndryshuar emrin në Hay’at Tahrir al-Sham, ose Organizata për Çlirimin e Levantit.

HTS tani është fraksioni rebel më i fuqishëm në Siri.

SHBA e ka shpallur HTS-në grup terrorist dhe ekzistojnë shqetësime serioze në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut në zonat që ky grup kontrollon, përfshirë ekzekutimet e personave që akuzohen për lidhje me grupe rivale, si dhe atyre që akuzohen për blasfemi dhe tradhti bashkëshortore.

Gjatë konfliktit civil, HTS dhe Ushtria Kombëtare Sirianë kanë vepruar herë si aleate dhe herë si rivalë. Të dy grupet mund të kenë synime te ndryshme.

Milicitë e mbështetura nga Turqia kanë gjithashtu interes për krijimin e një zone tampon pranë kufirit turk për të larguar militantët kurdë që janë në konflikt me Ankaranë. Turqia ka qenë mbështetësi kryesor i luftëtarëve që synojnë rrëzimin e Assad-it, por kohët e fundit ka kërkuar pajtim dhe zyrtarët turq kanë mohuar me forcë çdo përfshirje në ofensivën aktuale./The Guardian