Kancelari gjerman Olaf Scholz e ka mirëpritur fundin e regjimit të Bashar al-Assad-it në Siri, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të mirë për popullin sirian. “Siria ka vuajtur për shumë vite nën dhunën dhe shtypjen brutale të Assad-it,” tha Scholz të dielën (08.12.2024) në mbrëmje në Berlin.
Scholz theksoi, se Gjermania qëndron në krah të sirianëve që kërkojnë të rindërtojnë vendin e tyre dhe të fillojnë procesin e pajtimit kombëtar. “Populli sirian ka kaluar nëpër vuajtje të mëdha, por tani ka një mundësi të re për të nisur rrugën e rindërtimit dhe pajtimit,” tha ai.
Kancelari gjerman paralajmëroi, se sfidat nuk kanë mbaruar ende. Ai shprehu shqetësime mbi forcat radikale dhe ekstremiste që mund të pengojnë procesin e tranzicionit. “Është e rëndësishme që Siria të vendosë sa më shpejt rendin dhe ligjin, duke garantuar mbrojtjen e të gjitha pakicave dhe komuniteteve fetare,” tha Scholz.
Scholz nënvizoi se integriteti territorial dhe sovraniteti i Sirisë janë thelbësore për të ardhmen e vendit. Ai kërkoi një proces gjithëpërfshirës të dialogut kombëtar dhe një zgjidhje politike përfundimtare. “Një Siri e lirë dhe e sigurt mund të arrihet vetëm përmes një tranzicioni paqësor dhe një zgjidhjeje politike,” deklaroi ai.
Gjermania, tha Scholz, është e angazhuar të ndihmojë në këtë proces së bashku me partnerët ndërkombëtarë, duke u bazuar në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të mbështetur popullin sirian në këtë moment historik,” përfundoi Scholz.
Scholz poston mesazh në arabisht
Mesazhi i kancelarit gjerman u publikua në mediat sociale jo vetëm në gjermanisht dhe anglisht, por edhe në arabisht, në platformën X. Në këtë mënyrë politikani socialdemokrat iu drejtua rreth 970 000 sirianëve që jetojnë në Gjermani, shumica prej tyre janë larguar nga atdheu i tyre për shkak të luftës së përgjakshme civile.
Më 8 dhjetor 2024, pas një ofensive të shpejtë 11-ditore nga forcat rebele, presidenti sirian Bashar al-Assad u rrëzua nga pushteti dhe u detyrua të largohej nga Damasku. Raportet tregojnë se ai dhe familja e tij kanë marrë azil politik në Moskë, Rusi.
Paralelisht me ndryshimin e pushtetit në Siri, mijëra sirianë kanë dalë në rrugët e Berlinit për të festuar gjatë fundjavës. Shumë sirianë kaluan me vetura nëpër rrugë duke u rënë burive. / DW