Ballina Kronika EMRI/ I dënuar për vrasje dhe pengmarrje, arrestohet në Spanjë 41-vjeçari shqiptar,...

EMRI/ I dënuar për vrasje dhe pengmarrje, arrestohet në Spanjë 41-vjeçari shqiptar, po planifikonte një grabitje të madhe

Policia spanjolle ka goditur një grup grabitësish në Majorka, duke arrestuar tre persona, mes tyre dhe një shqiptar me precedentë të mëparshëm kriminalë.

Mediat spanjolle raportojnë se në prangat e policisë ka rënë një shtetas bullgar, një maroken dhe 41-vjeçari shqiptar nga Shkodra, Robert Linadi.

Sipas mediave ata kishin kryer disa grabitje në disa banesa në zonat e Marratxí, Port d’Andratx, Palma, Calvià dhe Cala Rajada dhe vende të tjera. Grupi kryente grabitje në shtëpi të banuara dhe hiqte kasaforta nga muri. Më 27 nëntor, në lagjen Son Ramonell të Marratxí, hajdutët morën orë, para, bizhuteri dhe sende të tjera personale.

Arrestimi i tyre ndodhi mbrëmjen e së mërkurës kur policia zhvilloi një aksion në tre shtëpi në Génova dhe Cala Majorka.

Ndërkohë raportohet se tre “skifterët” kishin planifikuar në mënyrë të përsosur një fushatë grabitjesh për Krishtlindje” në shtëpitë në Majorka, duke përfituar nga udhëtimet e pronarëve në këto data.

Gjatë kontrolleve hetuesit kanë gjetur një kasafortë të vjedhur në Marratxí, si dhe 50 ora, bizhuteri të shumta, telefona celularë dhe rreth 3500 euro para cash.

Kush është Robert Linadi

41-vjeçari Robert Linadi me origjinë nga fshati Bajzë i Shkodrës, është një emër i njohur, i dënuar më parë për 17 vite burg për vrasjen e bashkëatdhetarit të tij në Londër.

Linadi bëri 17 vite burg për vrasjen me thikë të 30-vjeçarit Xhevahir Demaj nga Malësia e Madhe në një koncert me 400 pjesmarrës në veri të Londrës në vitin 2004.

Ndërkohë që në vitin 2003 ai së bashku me disa të rinj të tjerë nga Shkodra morën peng në një shtëpi publike në Perëndim te Londrës në lagjen Acton një shtetase shqiptare.

Ata i kërkonin tutorit të saj një shumë prej 30 mijë paundësh në këmbim të lirisë së saj. Pas disa ditë survejimi Linadi dhe miqtë e tij rrëmbyes u arrestuan nga skuadra e pengmarrjes pranë Scotland Yardit.

Por Robert Linadi do të fitonte lirinë pas tetë muaj qëndrimi në qeli pasi gjykatësi e cilësoi dëshminë e të rrëmbyerës jo të sinqertë pasi ajo nuk tregoi në gjykatë se kishte punuar më parë si prostitutë në Itali.