Ballina Aktualitet SPAK kërkon izolim për Berishën, apelohet vendimi që nxorri kreun e PD...

SPAK kërkon izolim për Berishën, apelohet vendimi që nxorri kreun e PD nga arresti shtëpiak

Nga Blerina Cene

Prokuroria e Posaçme kërkon izolimin në shtëpi të ish-kryeministrit, Sali Berisha. Sipas prokurorëve të çështjes nuk ekzistojnë kushtet që gjykata ta nxjerrë nga arresti shtëpiak ish- kreun e ekzekutivit, Berisha.

Kundërshtimi u bë në Apelin e Posaçëm nga dy përfaqësuesit e organit të akuzës, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

Megjithatë për avokatin e Berishës ky ankimim është i pavend.

Nuk pati komente për ndryshimin e masës së sigurisë. SPAK ka dorëzuar një ankim në Gjykatën e Apelit, është një ankim formal i paargumentuar sepse ato janë ezauruar si faza. Për masën e sigurisë nuk u diskutua në këtë seancë”, tha Genc Gjokuta, avokati mbrojtës i Berishës.

Ndërkaq, gjyqtarja që e liroi Berishën nga izolimi shtëpiak, Flojera Davidhi ka në duar vendimmarrjen nëse dosja “Partizani”, për të cilën SPAK ndaj Berishës ka ngritur akuzën e korrupsionit, do t’i nënshtrohet apo jo gjykimit në Gjykatën e Posaçme.

Por, pas katër orësh e 30 minuta, ky vendim u shty për në datën 6 Janar të 2025.  Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj ndau për mediat se klienti i tij nuk do të kërkojë gjykim të shkurtuar.

E njëjta histori, e njëjta vjershë. Ai foli pa referencë. Ajo që ne kërkuam ishte të na shpjegonte faktin penal, lidhjen shkakësore, cilat janë veprimet, çfarë dëmi ka, çfarë pasoje ka nëse ka dhe të na individualizonte provat për secilin subjekt në këtë çështje. Asgjë e tillë nuk ndodhi, prokurori filloi dhe mbaroi një përmbledhjen e tij dhe seanca është shtyrë për në 6 janar në orën 11:30”, shtoi më tej Gjokutaj.

Sali Berisha u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria Antikorrupsion më 11 shtator të këtij viti. Në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, SPAK pretendon që ata kanë kryer korrupsion, ndërsa Malltezi nga ana e tij edhe pastrim parash.

Të pandehur për privatizimin e ish- kompleksit sportiv Partizani, janë marrë edhe ndërtuesi i 17 kullave, Fatmir Bektashi, biznesmeni Xhimi Begeja dhe noterja Andia Pustina.

Sipas organit procedues SPAK, Berisha vuri në dizpozicion të dhëndrit të tij gjithë aparatin shtetëror për të privatizuar trojet e dikurshme të kompleksit sportiv, Partizani. Në cilësinë e kryeministrit ai nxorri akte nënligjore në favor të përfitim të trullit nga ana e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. /Vizionplus.tv/