Prokuroria e Shkupit kërkoi paraburgim për të dyshuarin e parë Përparim Bajrami dhe të dyshuarin e dytë Artan Grubin sipas veprës penale “Përvetësim në shërbim” në 9 Maj 2023 në Lotarinë e Maqedonisë. Bajrami dyshohet se pa miratim të bordit drejtues dhe mbikëqyrës ka ndërmarrë aktiviteteve për organizimin e pavarur të lojërave elektronike, duke porositur tender për terminale VLT, llogaritja e të cilave kap vlerën e mbi 8 milionë eurove, apo 42% e buxhetit të lotarisë. Ish-zv/kryeministri Grubi dyshohet që më 6 Qershor 2023 si udhëheqës i seancës qeveritare miratoi kërkesën edhe pse e dinte që për prokurimin konkret publik ishte e paligjshme dhe se “Lotaria Shtetërore” nuk kishte të drejtë të organizonte në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit në territorin e vendit.
“Prokurori kompetent kërkoi nga Gjykata Penale për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit, me qëllim që të fillojë zbatimi i masës së paraburgimit menjëherë pas zbulimit dhe privimit të tyre nga liria”, thotë Prokuroria Publike
Arratisja e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi zgjoi bujë të madhe në mënyrën që iku në momentin e fundit para nisjes së aksionit. Madje, autoritet thonë se ai kaloi përmes vendkalimit kufitar të Bllacës me veturë me targa diplomatike.
“Informacioni im i fundit është që më gjatë kohë ish-drejtori i Lotarisë së Maqedonisë nuk gjendet në territorin e vendit tonë. Kurse, ish-zëvendëskryeministri së bashkë me një person tjetër, sipërmarrës, me automjet me targa diplomatike e ka lëshuar vendin në drejtim të fqinjit tonë verior, Kosovës”, deklaroi Hristijan Mickoski.
Se është komprometuar aksioni policor për kapjen e kokave të të dyshuarve, këtë e tha edhe Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, duke theksuar se ka pasur lëshime gjatë aksionit policor.
“Mendoj se ka qenë vetëm i dyshimtë dhe ka pasur një lëshim nga polici doganor, pa qëllim të keq. Pasi ka kaluar e ka futur në sistem dhe aty është ndez alarmi që kërkohet dhe të ndalet për informim të mëtutjeshëm. Sidoqë të jetë me rëndësi shteti ligjor të funksionoj se nuk është askush mbi ligjin”, tha Izet Mexhiti
Hetimi ndaj Grubit nisi menjëherë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e futi atë në listë të zezë, për dyshimet e bazuar në fakte që ai ka korruptuar gjykatësin Enver Bexheti për t’i hequr akuzat ndaj ish shefit të policisë sekrete Sasho Mijallkov. Nga Ambasada e SHBA-së thanë se lista e zezë do të zgjerohet.