Një gjeneral i lartë rus i akuzuar nga Ukraina si përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase u vra në Moskë nga shërbimi i inteligjencës ukrainas SBU të martën në mëngjes, duke shënuar vrasjen e profilit më të lartë të këtij lloji.
Gjenerallejtënant Igor Kirillov, i cili ishte shefi i Trupave të Mbrojtjes Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë, u vra jashtë një pallati së bashku me ndihmësin e tij kur shpërtheu një bombë e fshehur në një skuter elektrik, tha Komiteti Hetimor i Rusisë, i cili heton krimet e rënda.
Një burim i SBU-së konfirmoi për Reuters se agjencia e inteligjencës ukrainase kishte kryer atentatin.
“Likuidimi është punë e SBU-së.” – tha burimi.
Burimi tha se një skuter që përmbante eksploziv shpërtheu, duke vrarë Kirillovin dhe ndihmësin e tij, teksa dilnin nga një ndërtesë në Ryazansky Prospekt në Moskë.
Pamjet video të paverifikuara të sulmit që qarkulluan në mediat sociale treguan dy burra që dilnin nga ndërtesa për të hipur në një makinë, para se një shpërthim i fortë të ndodhte ndërsa dy burrat mbetën në trotuar. Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur pamjet.
Kirillov, 54 vjeç, është oficeri më i lartë ushtarak rus që vritet brenda Rusisë nga Ukraina dhe vrasja e tij ka të ngjarë t’i shtyjë autoritetet ruse të rishikojnë protokollet e sigurisë për drejtuesit e lartë të ushtrisë dhe të gjejnë një mënyrë për t’u hakmarrë për vrasjen e tij.
Ish-presidenti Dmitry Medvedev, tani një zyrtar i lartë i sigurisë ruse, u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA të ketë thënë se udhëheqja ushtarake dhe politike e Ukrainës do përballet me një hakmarrje të afërt për vrasjen e Kirillovit.
Moska e konsideron Ukrainën përgjegjëse për një varg vrasjesh të profilit të lartë në tokën e saj, të kryera për të dobësuar moralin dhe për të ndëshkuar ata që Kievi i konsideron fajtorë për krime lufte. Ukraina, e cila thotë se lufta e Rusisë kundër saj përbën një kërcënim ekzistencial për shtetin ukrainas, e ka bërë të qartë se i konsideron vrasje të tilla si një mjet legjitim.
Fotot dhe videot e Reuters nga vendi i ngjarjes treguan një hyrje të copëtuar në një ndërtesë apartamentesh me tulla të nxira nga bomba dhe dyert e varura nga menteshat e tyre dhe dy trupa të shtrirë nën çarçafë të zinj plastike në dëborë.
Hetuesit thanë se kishin hapur një çështje penale për vrasjen e dy ushtarakëve. Burime të zbatimit të ligjit thanë për mediat ruse se ka të ngjarë të hapet një hetim për sulm terrorist.