Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, tha se qytetarët kanë votuar që opozita të udhëheq me vendin, duke theksuar se ai do t’iu ofrojë qytetarëve qeverisjen që duan. Ai tha se PDK-ja nuk do të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje
Subjekti i dytë më i madh i dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe ai i katërti, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma (AAK-Nisma), kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të bëjnë koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, transmeton Anadolu.
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, tha se qytetarët kanë votuar që opozita të udhëheq me vendin, duke theksuar se ai do t’iu ofrojë qytetarëve qeverisjen që duan. Ai tha se PDK-ja nuk do të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Vetëvendosja ka humbur një numër të madh të votave. Shumë qytetarë që e kishin votuar tash ia kanë kthyer shpinën. Ata erdhën te ne në PDK dhe në LDK. Kryeministri në detyrë i paraqiti zgjedhjet si referendum për veten, por qëllimi s’u arrit. Ai i kërkoi 500 mijë vota, por s’i mori”, theksoi Hamza.
Të njëjtin qëndrim të refuzimit të një koalicioni të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje e ka shprehur edhe kandidati për kryeministër nga AAK-Nisma, Ramush Haradinaj. Në një konferencë për media, edhe Haradinaj tha se do të bashkëpunonte vetëm me partitë opozitare për ta krijuar shumicën.
Ai konsideroi se rezultati preliminar i zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk është i kënaqshëm dhe shtoi se pret që të ketë rreth 70 mijë vota në total.
“Është në nderin tim që të ndihmojë një qeveri të opozitës, asnjëherë me Kurtin. Me kënaqësi do të bashkëpunonim me subjektet politike opozitare shqiptare për të krijuar shumicën edhe që është e mundshme realisht nëse kemi këtë gatishmëri. Jemi të gatshëm për këtë. Pa asnjë kusht. Nuk kërkojmë asnjë kusht që pengon të ecim përpara”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila ka dalë e treta deri kur janë numëruar mbi 95 për qind të votave, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se do të ketë një organizim më të mirë të brendshëm partiak. Ai theksoi se pas numërimit përfundimtar, LDK-ja do të ofrojë qëndrimet e saj politike.
Abdixhiku gjithashtu tha se “nuk dinë dhe nuk duan ndryshe”, derisa ka përmendur rrugëtimin e deritanishëm.
“Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar. Por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë dhe për këtë ndjej keqardhje. Pavarësisht të gjithave, do të ketë dritë. Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura, sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK-ja do të ofrojë qëndrimet e veta politike”, tha Abdixhiku.
Kryeministri aktual, njëherësh kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje edhe për një mandat, Albin Kurti, mbrëmë nga selia e partisë që udhëheq, tha se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe se mandatin e ardhshëm në krye të qeverisë do të vazhdojë ta qeverisë me partitë “Guxo” dhe “Alternativa”.
“Koalicioni ynë do ta formojë qeverisjen tonë 3. Do t’i vazhdoj punët… populli fitoi, fitoi Vetëvendosje. Ne jemi subjekti fitues që do të formojë qeverinë e ardhshme. Të gjithë e kanë të qartë se ata që dolën të dytët e të tretët po të mblidhen bashkë, nuk bëjnë sa ne”, tha Kurti.
@tetovanews
@tn.lajmelokale