Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se do ta presë homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyn, në Uashington të premten, mes negociatave për një marrëveshje që do t’i japë Shteteve të Bashkuara qasje në mineralet e rralla të Ukrainës.
“Presidenti Zelensky do të vijë të premten, kjo tani është e konfirmuar”, tha Trump të mërkurën, në mbledhjen e parë të kabinetit të tij, kur e cilësoi marrëveshjen si “një marrëveshje shumë të madhe.”
Presidenti republikan është ankuar prej kohësh se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar shumë para të taksapaguesve për të mbështetur Ukrainën në luftën me Rusinë, e cila filloi kur Kremlini pushtoi Ukrainën tre vjet më parë.
Trump e ka paraqitur këtë marrëveshje të re, që do t’i japë SHBA-së qasje në të ashtuquajturat depozita të mineraleve të rralla në Ukrainë, si një mundësi që Kievi të kompensojë ndihmën që SHBA-ja ka dhënë tashmë për përpjekjet e luftës gjatë administratës së mëparshme të presidentit demokrat, Joe Biden.
“Administrata e mëparshme na vuri në një pozitë shumë të keqe, por ne kemi arritur të bëjmë një marrëveshje ku do t’i marrim mbrapsht paratë dhe do të marrim shumë para në të ardhmen”, tha Trump.
Zelensky tha, në një postim në X, se ai do të takohet me Trumpin, por ritheksoi rëndësinë e garanvice të sigurisë, për të cilat kishte thënë gjatë ditës se nuk janë ende pjesë e marrëveshjes me SHBA-në.
“Garancitë për paqen dhe sigurinë janë çelësi për të siguruar që Rusia të mos mund të shkatërrojë më jetët e kombeve të tjera. Për mua dhe për të gjithë ne në botë, është e rëndësishme që mbështetja e SHBA-ve të mos ndalet”, shkroi Zelensky në X.
Por, Trump, përjashtoi mundësinë e ofrimit të garancive të sigurisë nga SHBA-ja ose anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe shtoi se aleatët evropianë do të mbajnë përgjegjësinë për sigurinë e Ukrainës.
Marrëveshja, një kopje të së cilës e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, nuk adreson disa pyetje kyçe dhe lë shumicën e detajeve për t’u qartësuar përmes një marrëveshjeje të ardhshme.
Ajo nuk përmban garanci specifike të sigurisë nga SHBA-ja për Ukrainën, një kërkesë kyçe nga Kievi. Marrëveshja gjithashtu nuk përcakton nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë furnizimin me pajisje ushtarake dhe municione për Ukrainën.
@tetovanews
@tn.lajmelokale