Ballina Bota Hetimi për korrupsion në Parlamentin Evropian, ngrihet akuzë për pesë persona

Hetimi për korrupsion në Parlamentin Evropian, ngrihet akuzë për pesë persona

Pesë persona janë akuzuar në një hetim korrupsioni të lidhur me kompaninë kineze Huawei, e cila është dyshuar nga prokurorët belgë për korruptim të ligjvënësve të BE-së.

Prokuroria Publike belge konfirmoi të martën se katër persona janë akuzuar për “korrupsion aktiv dhe organizatë kriminale”, ndërsa personi i pestë është akuzuar për pastrim parash.

Ky i fundit është lënë i lirë me kushte, por për katër të tjerët është vendosur urdhër-arresti.

Prokurori publik shtoi se kontrollet e reja janë bërë të hënën në zyrat e Parlamentit Evropian në Bruksel.

Dy zyra u mbyllën më parë më 13 mars, njëra që i përkiste asistentëve të Marco Falcone (Itali/EPP), Paolo Campisi dhe Francesco Vasta dhe tjetra Adam Mouchtar, ndihmës i Nikola Minchev (Bullgari/Rinovo Evropën).

Policia gjithashtu kishte kontrolluar tashmë selinë e Huawei në Bruksel, si dhe 21 shtëpi në Bruksel, rajonet belge të Flanders dhe Wallonia, dhe Portugali.

Një ditë më vonë, më 14 mars, Parlamenti Evropian ndaloi përkohësisht lobistët e Huawei nga ambientet e tij, një veprim që ai deklaroi se ishte marrë si masë paraprake, në përputhje me rregullat e sigurisë.

Arrestimet erdhën pasi një hetim nga gazeta Le Soir dhe media të tjera zbuluan se lobistët që punonin për gjigantin kinez të telekomunikacionit dyshoheshin se kishin dhënë ryshfet anëtarëve aktualë ose ish të Parlamentit Evropian për të promovuar politikat tregtare të kompanisë në Evropë.

Huawei tha të enjten se po i merr seriozisht akuzat dhe se do të “komunikonte urgjentisht” me hetuesit.

Zyra e prokurorit tha se beson se korrupsioni filloi në vitin 2021.